EULEX: Autoritetet e Kosovës kryen hetim të plotë për Deharin

| 23 Nën 2016 | 18:19 | Nga

Pas refuzimit të Britanisë së Madhe për të hetuar rastin Dehari dhe këshillës së Ambasadorit Britanik Ruairi O’Connell që autoritetet e Kosovës të punojnë me EULEX-in në lidhje me këtë rast, Misioni Evropian për Sundim të Ligjit ka dhënë një përgjigje rreth përfshirjes në hetime.

Zëdhënësja e këtij misioni, Besa Domi, në përgjigjet e dërguara Gazetës Express ka thënë se ky mision është i bindur se autoritetet e Kosovës kanë kryer hetim të plotë dhe të detajuar për rastin.

Gati tre javë pas vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si një nga 6 të dyshuarit për sulmin terrorist të 4 Gushtit në Kuvendin e Kosovës, misionet e huaja të rendit dhe hetuese nuk po japin sinajle se duan të përfshihen drejtpërdrejtë në gjetjen e shkaktarit sesi humbi jetën në burg 26 vjeçari.

Paraqitjet e familjes së aktivistit të vdekur dhe deklaratat e tyre publike se nuk kanë besim në autoritetet kosovare të cilat konkluduan se Astrit Dehari u vetëvra në qeli, shtynë Ministren e Drejtësisë, Dhurtata Hoxha që të kërkojë hetim ndërkombëtarë për aktivistin e VV’së.

Ajo, fillimisht kërkoi hetim nga policia metropolitane ‘Scotland Yard’ nga Britania e Madhe, përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, por që pak ditë pas kërkesës mori refuzim nga ky shtet. Kjo, u arsyetua, se Britania nuk ka lidhje direkte me rastin.

Ndërsa, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell në një komunikim zyrtar me Ministren Hoxha, e këshilloi atë që të kërkoi nga EULEX’i ndihmë për të hetuar këtë rast.
Por, as EULEX nuk ka gatishmëri të hetojë këtë rast. Të paktën, kështu lë të kuptohet nga përgjigja që ky mision ndërkombëtarë që operon në Kosovë nga viti 2008, i dha Gazetës Express, të pyetur nëse do të involvohen në hetimet në rastin e Deharit.

EULEX, thjesht, ka zgjedhur vetëm ta monitorojë rastin.

“EULEX-i ka monitoruar institucionet e Kosovës në lidhje me hetimin e këtij rasti. Misioni është fokusuar në aspektet teknike dhe respektimin e kërkesave ligjore në të gjitha fazat e hetimit”, i ka thënë të mërkurën, Gazetës Express, zëdhënësja e këtij misioni, Besa Domi.

Ajo, tregon se Misioni Europian për Drejtësi dhe Sundim të Ligjit ka besim në raportet e autoriteteve kosovare. Raporti i këtyre të fundit, i publikuar të premten që shkoi, thotë se Astrit Dehari vdiq nga asfiksia e shkaktuar nga vetë ai me një mjetë të fortë.

“Misioni është i bindur se autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar një hetim të plotë dhe të detajuar. Përfundimi i tij në bazë të fakteve të identifikuara u prezantua për publikun”, tha zëdhënësja e EULEX, në përgjigjen e saj përmes postes elektronike.

“Misioni përmes kapaciteteve të mentorimit, monitorimin dhe këshillimit do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë”, përfund përgjigjen EULEX.

Nga ana tjetër, edhe pseFamilja Dehari prej fillimit kishte insistuar në një hetim ndërkombëtar për vdekjen e djalit të tyre, pas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë, ata kanë dalë kundër një hetimi të tillë. Sipas prindërve te të dyshuarit për terrorizëm, që u gjet i vdekur në një qeli të burgut në Prizren, një gjë e tillë nuk mund të bëhet pranohet nga ana e tyre pa u dorëhequr Ministrja Dhurata Hoxha, që udhëheqë Drejtësinë, dhe kolegu u saj nga Ministria e Brendshme, Skender Hyeseni.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme