Trumpi shkarkon dy zyrtarë që dëshmuan kundër tij gjatë hetimeve

| 08 Shk 2020 | 09:19 | Nga

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka shkarkuar nga detyra dy zyrtarë të lartë, të cilët kishin dëshmuar kundër tij gjatë procesit të hetimeve për keqpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

I dërguari amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, tha se ka marrë vesh që presidenti do ta shkarkojë menjëherë, ndërsa disa orë më herët, koloneli Alexander Vindman, gjithashtu u shkarkua nga roli që e kishte në Shtëpinë e Bardhë.

Thuhet se presidenti Trump po e synon një riformatim të stafit pasi të mërkurën u lirua nga hetimet e filluara në Senat, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Pasi u largua nga rezidenca në Karolinën Veriore, presidenti amerikan tha për kolonelin Vindman: “A mendoni se unë duhet të jem i lumtur me të? Nuk jam.” Ai nuk komentoi më shumë në lidhje me vendimin për shkarkimin e zyrtarit të lartë.

Donald Trump akuzohej për kushtëzimin e ndihmave ushtarake ndaj Ukrainës me fillimin e hetimeve të këtij shteti kundër rivalit politik, Joe Biden, dhe pengimin e punës së Kongresit.

Sidoqoftë, për shkak se shumica e senatorëve në Senat vijnë nga Partia Republikane, ai i shpëtoi shkarkimit nga posti më i lartë në shtetin më të fuqishëm të botës.

Të ngjashme