Komuna e Drenasit mban akademi solemne për nder të 7-Marsit

| 06 Mar 2020 | 16:21 | Nga

Me rastin e 7-Marsit, Ditës së Mësuesit, në ambientet e sallës së kulturës në Drenas, sot është mbajtur akademi solemne. Në akademi morën pjesë kryetari Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, nënkryetari i Komunës, Nazmi Hasi dhe drejtorë, mësimdhënës  e nxënës të shkollave të Drenasit. Me pjesëmarrjen e tyre nderuan edhe  deputetë  të Kuvendit të Kosovës  e përfaqësues të organizatave të dala nga lufta.

Pas intonimit të himnit shtetëror dhe kombëtar, nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu”  prezantuan videon e përgatitur për këtë rast, ku ndër të tjerash  u theksua rëndësia shkollës shqipe  gjatë  rrugëtimit drejt lirisë.

Në fjalën e tij kryetari Lladrovci mes të tjerash tha se mësimdhënësit kanë hapur shtigjet e diturisë, me dashurinë e madhe për dijen, për kombin për çlirimin dhe se ne kujtojmë heroizmin dhe përkushtimin e armatës së mësuesve ndër shekuj, të cilët përndiqeshin, vetëm pse donin ta arsimonin kombin tonë, ta shkruanin gjuhën e bukur shqipe e të përhapnin dritën e diturisë.

Ndërsa, në fjalën e tij Drejtori i Arsimit, Muhamet Gjoka porositi mësimdhënësit që ta fisnikërojnë edhe më tej profesionin dhe misionin e mësimdhënies  për shtetndërtim dhe që të vazhdojmë rrugën aty ku e lanë mësuesit tanë  të cilët sakrifikuan çdo gjë për liri dhe shtetformim.

Në vlerësim  të punës  dhe përkushtimit në mësimdhënie, kryetari Lladrovci  ka ndarë mirënjohje për  mësimdhënës të dalluar e veteranë të arsimit të komunës së Drenasit. Me mirënjohje post-mortum u nderua edhe Gani Sylaj, mësimdhënës, aktivist i dalluar i çështjes kombëtare dhe ish-nënkryetar i Komunës së Drenasit.

Në përfundim të akademisë, u shfaq edhe një program artistik me këngë e recitime nga nxënësit e shkollave të Drenasit.

Të ngjashme