Bideni dhe Sandersi përshëndeten me bërryla, debatojnë për Coronavirusin

| 16 Mar 2020 | 09:03 | Nga

Dy kandidatët kryesorë për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara brenda Partisë Demokratike, Joe Biden dhe Bernie Sanders, kanë zhvilluar debat të drejtpërdrejtë të dielën në mbrëmje. Debati u mbizotërua nga tema e përhapjes së Coronavirusit dhe kërcënimi që vjen prej tij.

Rivalët paraqitën qëndrime mjaft të ndryshme në lidhje me luftimin e virusit Covid-19. Megjithatë, ata u pajtuan plotësisht për nevojën e një përgjigjeje shumë më të fortë të qeverisë kundër koronavirusit.

Deri më tani, në Shtetet e Bashkuara janë konfirmuar 3244 persona të infektuar dhe 62 të vdekur nga Coronavirusi, shkruan “The Guardian”.

“Kjo gjë është më e madhe se secili nga ne. Kjo kërkon organizim mbarëkombëtar për njëri-tjetrin”, tha kandidati Joe Biden, i cili më parë ka shërbyer si zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara.

Ai madje e krahasoi betejën kundër koronavirusit me një luftë, duke bërë thirrje për një strategji që do ta përfshinte tërë qeverinë, angazhimin e ushtrisë dhe dhurimin e miliarda dollarëve për ta përkrahur ekonominë dhe shëndetësinë.

Në anën tjetër, Bernie Sanders kërkoi reforma të thella ekonomike, duke thënë se kjo pandemi e ka vënë në pah mungesën e funksionimit të sistemit shëndetësor të vendit. “Njëra nga arsyet që ne jemi të papërgatitur – dhe kemi qenë të papërgatitur – është që ne nuk e kemi një sistem”, tha ai.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen në nëntor të këtij viti, ndërsa i nominuari i Partisë Demokratike pritet të caktohet zyrtarisht në muajin korrik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme