Profesori i filozofisë, Blerim Latifi, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, ka shkruar se jemi larg standardit liberal, transmeton Gazeta Metro.
Latifi në një postim në Facebook ka shkruar se shoqëria jonë është larg standardit liberal, dhe të mbash qëndrim kritik në sferën publike kosovare, do të thotë të ekspozohesh ndaj një dhune verbale, që është e pashembullt në botën e civilizuar.
Postimi i plotë:
Sam Harris, njëri nga mendimtarët e mi të preferuar, e definon shoqërinë civile si një hapësirë ku të gjitha idetë mund të diskutohen e kritikohen pa rrezikun e dhunës fizike. Ne vazhdojmë të jemi larg këtij standardi liberal. Të mbash qëndrim kritik në sferën publike kosovare, do të thotë të ekspozohesh ndaj një dhune verbale, që është e pashembullt në botën e civilizuar. E dhuna verbale është prelud i dhunës fizike. Sot ekzistenca e mendimit të lirë varet vetëm nga ata që ende guxojnë ta shprehin atë publikisht. Sot ne vajtojmë coronavirusin që na ka mbyllur në shtëpitë tona private, e nuk i shohim coronaviruset ideologjikë të fanatikëve agresivë që kërkojnë të na e mbyllin gojën dhe të na e mbysin mendimin e lirë. Filozofët e hershëm tërhiqnin vërejtjen se liria e fjalës, e pashoqëruar me edukimin civil, mund t’i kthej shoqëritë në gjëndjen e barbarisë dhe se pa këtë edukim demokracia mund të prodhoj të kundërtën e idealeve të saj. Ata paskan pasur plotësisht të drejtë.