Ferizaj me numër shumë të vogël të fëmijëve lëmoshëkërkues

| 01 Qer 2020 | 19:53 | Nga

Qendra për Punë Sociale në Ferizaj gjatë vitit të kaluar ka trajtuar dhjetëra raste të familjeve që kanë fëmijë lypsarë dhe që merren me punë të rënda.

Atyre u është siguruar asistenca sociale, ndërkaq fëmijëve të tillë u është mundësuar ndjekja e kurseve të ndryshme pa pagesë dhe pajisje të gjërave elementare për jetesë.

Ndërkaq gjatë kësaj periudhe të vitit në këtë institucion nuk është raportuar për ndonjë rast të fëmijëve lëmoshëkërkues me nënshtetësi nga Kosova, raporton KOHA.

Adelina Rexhepi-Braha, psikologe në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, ka thënë se të gjithë fëmijët lëmoshëkërkues gjatë këtij viti janë regjistruar me nënshtetësi nga Shqipëria, andaj në bashkëpunim me Policinë e Kosovës po i largojnë vazhdimisht nga rruga.

Ndërkaq në Komunën e Ferizajt kanë thënë se në të kaluarën ka pasur raste kur fëmijët e kanë braktisur shkollimin me qëllim që të kërkojnë lëmoshë për të siguruar të hyra për familjet e tyre, mirëpo Komuna i ka trajtuar ato raste përmes ekipit për parandalim të braktisjeve.

Ndërkaq Mehmetali Hajdini, shef i Sektorit të Operativës Rajonale në Policinë e Kosovës në Ferizaj, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se gjatë 2019-s në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale kanë realizuar katër plane operative, ndërkohë janë shoqëruar në Polici 18 persona si lëmoshëkërkues, përfshirë edhe të mitur.

Të ngjashme