Ishulli ku të gjithë njohin njëri-tjetrin – nëse janë me COVID-19

| 04 Tet 2020 | 09:10 | Nga

(NYT) – Burri që e thithte tymin e fundit të cigares së tij nën vapën përcëlluese para dyqanit të tij ushqimor në Volissos, një fshat ky i ishullit grek Chios, një gjë e dinte për sigurt: Po nuk pati maskë, nuk pati as shitje.

E fiku cigaren, e vendosi maskën sipër mjekrës së tij për ta mbuluar gojën dhe hundën, dhe u hyri sërish në dyqan.

Pak më larg në plazh kamerierët që vetëm një ditë më parë ngurrueshëm i vendosnin mbulesat e domosdoshme të fytyrës, teksa ua shërbenin mezet dhe birrat e ftohta atyre që lehtas i rrihnin ujërat e pastër të detit Egje, nuk kishin nevojë për ndonjë shtytje që t’i mbulonin fytyrat e tyre. Ndërsa në orët e hershme të mëngjesit, kur freskimin në det e gjenin kryesisht më të moshuarit dhe ata që i shoqëronin më të rinjtë, maskat barteshin universalisht.

Diçka kishte ndodhur atë ditë të fundit të muajit të shkuar që i bëri maskat të ishin përnjëherë të domosdoshme: Dikush ishte sëmurë në ishull dhe të gjithë ishin të vetëdijshëm se ai jetonte në këtë fshat.

“Përhapja nga jashtë”

Pas izolimit brutal të pranverës dhe ashpërsimit të masave të sigurisë në vendet e tjera të botës, familjet kudo u vunë në kërkim të një peizazhi pak më ndryshe, të thyerjes së izolimit dhe ndihmës.

Deri në fund të korrikut, kalova plot tre muaj duke e hulumtuar si gazetare përgjigjen e Belgjikës ndaj pandemisë vrastare në qendrat për të moshuarit. Pas një misioni të zymtë, dëshira për t’i thyer kufizimet ishte aq e fortë sa që vendosa të udhëtoja 12 orë përgjatë Evropës me dy fluturime dhe u ballafaqova me një javë izolim shtesë dhe disa teste të njëpasnjëshme për koronavirus në kthim – që të gjitha këto me një dyvjeçar në krah.

Dhe ia vlejti. Kaluam kohë të mrekullueshme në plazhet e pashkelura, hëngrëm fiq të ëmbël si mjalti këputur direkt nga drunjtë, peshk të freskët me domatina jashtëzakonisht të shijshme dhe u kënaqëm nën përkujdesjen e gjyshërve.

Megjithëkëtë, ishte presioni mental që e kishte imponuar pandemia në jetën e këtij vendi të vogël e të izoluar ajo që e prishi paksa këtë kënaqësi.

Chiosi, vend me 50.000 banorë dhe i njohur për rolin vendimtar në industrinë madhore të anijeve në Greqi, përbën një univers krejtësisht të ndryshëm të COVID-19 nga Brukseli, seli e Bashkimit Evropian dhe kryeqytet i Belgjikës, me popullatë prej 1.2 milionë banorësh.

Belgjika ka pasur të dhënat e koronavirusit ndër më të këqijat në gjithë botën, duke shënuar afro 100.000 të infektuar dhe 9.930 të vdekur për përafërsisht 11.5 milionë banorë.

Të ngjashme