Trumpi gënjeu për maskat e sofistikuara në Kaliforni

| 03 Nën 2020 | 08:20 | Nga

Presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdimisht është tallur me rivalin demokrat Joe Biden për mbajtjen e maskës.

Në fushatën që e mbajti në Arizona të mërkurën e javës së kaluar, në të cilën nuk u respektua distanca sociale dhe pakkush prej pjesëmarrësve mbante maskë – Trumpi është tallur me vendimin për mbajtje të maskave në Kaliforni.

“Në Kaliforni keni një maskë të veçantë. Nuk mund ta hiqni për çfarëdo arsye. Ju duhet të hani përmes maskës”, ka thënë presidenti amerikan.

Pak minuta më vonë, ai është tallur se shpagetat dhe salsiçet e zhytin maskën, sepse njerëzit nuk guxojnë ta heqin atë.

Turma para Trumpit qeshi.

Por presidenti ishte shumë serioz kur bëri këtë vlerësim në lidhje me mbajtjen e maskave.

Ky qëndrim i Trumpit është i pavërtetë.

Njerëzve në Kaliforni nuk u është kërkuar që të mbajnë maska të veçanta.

Ata janë të lirë të bartin maska të thjeshta.

Autoritetet në Kaliforni, madje kanë thënë se qytetarët nuk janë të obliguar të mbajnë maskën gjatë gjithë kohës.

Ata mund t’i heqin në shtëpi, apo kur janë të vetëm në një objekt dhe në hapësira të mbyllura 3 metra nga të tjerët.

Ani pse njerëzit janë infektuar dhe bartur koronavirusin teksa kanë mbajtur maskën, ato janë treguar të suksesshme në reduktimin e shanseve për bartjen e virusit.

Trumpi u është referuar komenteve të guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom që në fillim të muajit tetor i kishte porositur njerëzit që ta bartin maskën pas çdo kafshate.

Ky qëndrim ishte i guvernatorit, pasi shteti i Kalifornisë nuk e ka të obligueshme mbajtjen e maskës mes kafshatave nëpër restorante.

Ekspertët kryesorë të sëmundjeve ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, kanë thënë se përdorimi i madh i maskave është jetik në betejën kundër koronavirusit.

Të ngjashme