Valbon Krasniqi jozyrtarisht mësohet se i ka ditët e numëruara si drejtor i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK-së).
Atë pritet të shkarkojë nga ky post, bordi i këtij institucioni, i përbërë nga 7 anëtarë. Në vend të tij pritet të emërohet, Arben Vitia.
Ky i fundit ishte Ministër i Shëndetësisë. E la postin për t`i hyrë garës për kryetar të Prishtinës nga radhët e VV-së. Dështoi. U mposht nga Përparim Rama i LDK-së në balotazh. Aktualisht Vitia nuk ka ndonjë funksion të lartë publik, përpos të asamblistit në Komunë të Prishtinës.
“Front Online” ka kontaktuar me njërin nga anëtarët e bordit të SHSKUK-së për ta pyetur lidhur me këtë ndryshim.
Megjithatë, doktori Xhevat Jakupi ka mohuar gjithçka.
“Nuk e di ku e keni marrë këtë informacion. Deri tash nuk është diskutu largimi i Valbon Krasniqit”, u shpreh Jakupi, anëtar i bordit.
Portali ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga drejtori aktual i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Përndryshe, Krasniqi është infektolog me profesion dhe në krye të SHSKUK-së ka ardhur vitin e kaluar, kur Qeverinë e ka udhëhequr Avdullah Hoti i LDK-së.
SHSKUK është institucion shëndetësor, i cili përbëhet nga institucionet e nivelit dytësor dhe tretësor të kujdesit shëndetësor në sektorin publik.
Ai menaxhon me këto institucione vendore, si vijon:
1. Qendren Klinike Universitare të Kosovës,
2. Qendren Klinike Universitare Stomatologjike të Kosovës,
3. Qendren Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë,
4. Qendren Kombëtare të Mjekësisë Sportive,
5. Qendren Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut,
6. Qendren Kombëtare të Telemjekësisë,
7. Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë,
8. Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan,
9. Spitalin e Përgjithshëm në Pejë,
10. Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë,
11. Spitalin e Përgjithshëm në Prizren,
12. Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj,
13. Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri,
14. Qendrat e Shëndetit Mendor me Shtëpitë për Integrim në Bashkësi,
15. Qendren për Integrimin dhe Rehabilitimin e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrik në Shtime.