Situata pandemike në Kosovë vazhdon të mbetet stabile edhe përkundër faktit se në rajon dhe Evropë numrat e infektimeve dhe vdekjeve janë shqetësuese, derisa shtete si Austria jan futur në “Lock Down”. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar për Gazetën Express se janë duke e përcjellë me kujdes situatën e përkeqësuar në shtetet tjera, kur janë pyetur nëse do të vendosen masa të reja.
Gjendja me pandeminë COVID-19 ka filluar të ju dal nga “duart” shteteve të shumta në Evropë edhe përkundër numrit të madh të persoanve të vaksinuar. Kësisoj ato kanë filluar të ashpërsojnë masat Anti-COVID, në mënyrë që të mbrojnë shëndetin e popullatës. Derisa janë organizuar protesta të ndryshme në kundërshtim të ashpërsimit të masave dhe mbylljes totale.
Por, një situatë krejtësisht ndryshe është në Kosovë. Vendi po vazhdon të regjistroj pak raste të infektuara me virus, ku në total janë vetëm 323 raste aktive. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se janë duke e përcjellur me kujdes situatën në shtetet tjera, e cila ka filluar të përkeqësohet.
Nga kjo ministri kanë thënë se masat rishqyrtohen në vazhdimësi në varësi të situatës epidemiologjike.
“Masat rishqyrtohen në vazhdimësi në varësi të situatës epidemiologjike. Për momentin janë në fuqi masat sipas vendimeve të muajit tetor për masat Anti-Covid-19, ndërsa situata po përcillet me mjaft kujdes, duke pasur parasysh përkeqësimin e saj në shtetet e Evropës dhe në rajon”, kanë thënë zëdhënës për informim.
Tutje nga kjo ministri kanë deklaruar se është e rëndësishme që të zbatohen masat që janë në fuqi, sidomos tani që në vend është identifikuar edhe varianti Delta Plus i COVID-19.
Po ashtu, sipas MSH’së, shumë shpejt do të fillojnë edhe me dhënien e dozës së tretë të vaksinës.
“Për MSh’në është shumë me rëndësi që të zbatohen masat në fuqi, aq më tepër që tashmë janë regjistruar edhe raste të variantit Delta Plus (të SARS COV-2), ndërkohë që situata e mëtejme është shumë e ndërlidhur me procesin e vaksinimit të popullatës, për çka i bëhet thirrje asaj kategorie që ende nuk janë vaksinuar, që ta bëjnë sa me parë këtë. Shpejt do të fillojë edhe dhënia e dozës përforcuese dhe dozës së tretë, sikurse që do të fillohet me vaksinimin e fëmijëve edhe nëpër shkolla, derisa ka prindër që tashmë kanë filluar t’i vaksinojnë fëmijët në qendrat e vaksinimit dhe përmes ekipeve mobile”, kanë shtuar nga MSH.
Ndërsa, infektolog në vend kanë thënë se derisa një valë e re e COVID-19 ka filluar në rajon, do të jetë mrekulli nëse në Kosovë nuk rriten rastet e infektuara me virus.
Infektologu Hamdi Ramadani ka thënë se numri i të infektuarve me COVID-19 në rajon është i madh. Andaj aj është shprehur që do të ishte një mrekulli që në Kosovë të mos regjistrohen raste të infektuara me këtë virus.
“Të dhënat janë shqetësuese. Situata në nivel evropian është shqetësuese. Duke u përballur me koronavirusin është edhe Serbia, Kroacia, Greqia e Sllovenia. Ka plotë të sëmurë edhe në Mal të Zi e Rumani. Virusi nuk do ta përjashtoj edhe Kosovën. Mjeti kryesor i mbrojtjes është vaksinimi”, ka theksuar ai.
Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë për Express se ka mbi një muaj që nuk është thirr asnjë takim nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me rishqyrtimin e masave.
Ai është shprehur se nëse numri i rasteve të infektuara me COVID vazhdon të jetë i ulët në vend do të kërkojnë lirim të masave, ndërsa nëse ndodh e kundërta, ata do t’i rishqyrtojnë ato.
“Është e domosdoshme që komunat të informohen sa i përket situatës në teren me analiza nga institucionet përkatëse dhe të shikohet çështja me pandeminë, deri tani takimet janë mbajt në baza dy javore po shpresojmë një takim do të thirret gjatë kësaj jave, komunat janë të gatshme të diskutojnë. Po shihet që trendi është pozitiv dhe nëse vazhdon një trend i tillë ne do t’i mbrojmë kërkesat tona. Besoj që me nivelin e të të infektuarve, kërkesat tona janë objektive. nëse shihet se situata ndryshon, shpresojmë që jo sepse po shihet qytetari i Kosovës është i disiplinum sa i përket marrjes se vaksinës, mund të mblidhemi të bashkëbisedojmë”, ka shtuar ai.
Rastet me COVID-19 kanë filluar të rriten në shtete të ndryshme të Evropës.
Austria sot është futur në bllokim të plotë për shkak të rasteve me COVID.
Ndërsa, Holanda ka hyrë në një bllokim të pjesshëm, pasi qeveria urdhëroi restorantet dhe dyqanet të mbyllen më herët dhe ndaloi spektatorët nga ngjarjet kryesore sportive, në një përpjekje për të frenuar rritjen rekord të rasteve me Covid-19.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga 8 deri më 14 nëntor ka pasur rritje prej 6% të rasteve të infektuara me COVID-19.
“Rajoni i Amerikës, Rajoni i Evropës dhe i Paqësorit Perëndimor raportuan të gjitha rritje të rasteve të reja javore në krahasim me javën e kaluar, ndërsa të gjitha rajonet e tjera raportuan tendenca të qëndrueshme ose në rënie. Në mënyrë të ngjashme, Rajoni Evropian raportoi një rritje prej 5% të vdekjeve të reja, ndërsa rajonet e tjera raportuan tendenca të qëndrueshme ose në rënie”, është thënë nga OBSH.