Nga 14 raste me COVID-19 më 26 korrik, në 888 raste me 11 gusht. Situata epidemiologjike në Kosovë po përkeqësohet.
Masat kundër përhapjes së COVID-19 në masë të madhe nuk po respektohen dhe sjellja e qytetarëve ndaj pandemisë është pothujse shpërfillëse.
Maskat dhe distanca fizike tashmë janë harruar.
Institucionet ende nuk tregojnë nëse, apo kur, do të vendosën masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i tha Radios Evropa e Lirë se “po zhvillohet takime të vazhdueshme me ekspertë shëndetësorë për të marrë rekomandimet e tyre konform situatës epidemiologjike dhe trendit të vaksinimit”.
Në vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin e luftimin dhe parandalimin e COVID-19, të datës 14 korrik, thuhet se bartja e maskës, duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet përveç: gjatë ecjes vetëm në ambient të jashtëm, gjatë ngasjes së automjetit, vetëm apo në grup me jo më shumë se katër persona, gjatë ushtrimeve fizike dhe gjatë ngrënies ose pirjes.
Vendimi obligon përgjegjësit e institucioneve publike dhe private që në hyrje të objekteve të vendosin shenjat e ndalesës për hyrje të personave pa maska mbrojtëse.
Por, ka ngecje në kontrollin e respektimit të kësaj mase dhe të tjerave që parashihen me këtë vendim.
Në raportin e Policisë së Kosovës për ditën e martë (10 gusht) thuhet se janë shqiptuar 5 gjoba në bazë të ligjit anti-COVID.
Krahas Policisë së Kosovës, gjatë pandemisë, edhe një institucion tjetër ka kryer inspektime të respektimit të masave kundër pandemisë. Ajo është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Por, kjo agjenci gjatë javëve të fundit nuk ka kryer inspektime për shkak të mungesës së inspektorëve.
Zëdhënësi, Lamir Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë, se kontrollet nga ana e kësaj agjencie nuk janë bërë që nga përfundimi i kontratave të inspektoreve shtesë të cilët gjatë pandemisë ishin angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ne thjeshtë nuk kemi pasur kapacitete për mbikqyrjen e zbatimit të masave”, tha Thaçi.
Sipas tij, kontratat për grupin e parë prej 75 inspektorëve shtesë kanë përfunduar në muajin qershor, ndërsa për grupin tjetër prej 20 inspektorësh kanë përfunduar në muajin korrik.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë thotë se këta inspektorë kanë qenë me kontrata të afatizuara, dhe se ato janë përmbushur.
“Nëse do të ketë rekrutime të reja apo jo, kjo do të varet nga zhvillimi i situatës epidemiologjike, kërkesave të argumentuara nga institucionet mbikëqyrëse dhe nga buxheti në dispozicion”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Çfarë thonë mjekët?
Mikrobiologu kosovar, Lul Raka, thotë për Radion Evropa e Lirë se shkaqet e rritjes së numrit të rasteve janë shpejtësia e përhapjes së variantit Delta, neglizhimi i masave parandaluese nga popullata përfshirë mosmbajtjen e maskave në objekte të mbyllura apo mjete të transportit publik, grumbullimet dhe intensifikimi i kontakteve.
Sipas tij nuk ka inspektime të mjaftueshme nga policia dhe inspektoratet qëndrore e komunale për respektimin e masave.
“Për shkak të numrit të pamjaftueshem të popullatës së vaksinuar plotësisht, duhet fuqizuar bartjen e maskës në objekte të mbyllura, shmangien e qëndrimit në turma dhe masa kufizuese të cilat fillimisht fokusohen për personat e pavaksinuar. Në rast të rritjes dramatike të hospitalizimeve dhe vdekjeve, atëherë rrjedhimisht edhe masat kufizuese fuqizohen”, tha Raka.
Për epidemiologun Isuf Dedushaj, rritja e shpejtë e rasteve me COVID-19, është shqetësuese.
Ai konsideron që nëse vazhdon një trend i tillë i infektimeve, duhet të merren masa që do të parandalonin përhapjen e mëtejme të infeksionit.
“Njerëzit kanë harruar edhe si ka qenë pandemia. E vetmja mënyrë është që të rritet numri i përfshirjes në vaksinim. E nëse vazhdon kështu rritja enorme, mandej sigurisht se duhet të merren dhe masa të tjera kundër pandemisë”, i ka thënë REL-it, Dedushaj.
Të mërkurën, autoritetet kanë njoftuar se numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka shkuar në 174.991, ndërsa shifra totale e vaksinave të dhëna është 521.737.
Ministria e Shëndetësisë ka nisur një fushatë sensibizilimi për të inkurajuar qytetarët që t’i përgjigjen fushatës së imunizimit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se mbajtja e maskave duhet të përdoret si pjesë e një strategjie gjithëpërfshirëse e masave për të parandaluar transmetimin e virusit dhe për të shpëtuar jetë.
Masat në SHBA dhe Izrael
Në fund të muajit korrik, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara, kanë njoftuar se njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar, duhet t’i rikthehen vendosjes së maskave në ambiente të mbyllura, nëse jetojnë në zona ku infektimi me koronavirus po rritet. Këto zona aktualisht përbëjnë pjesën më të madhe të SHBA-së, ose më shumë se 60% të qarqeve amerikane. Maskat, në përgjithësi, nuk janë të nevojshme jashtë.
Ndryshimi vjen vetëm dy muaj pasi CDC-ja ka konstatuar se njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kanë më nevojë të veshin maska në ambiente të brendshme publike.
Drejtorja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, ka thënë se rekomandimi i ri bazohet në shqetësimet nga varianti Delta.
Derisa efikasiteti i vaksinave mbetet i lartë ndaj variantit Delta, “të dhëna të reja tregojnë se, në raste të rralla, disa njerëz të vaksinuar mund të jenë ngjitës dhe ta përhapin virusin te të tjerët”, ka thënë Walensky.
Autoritetet shëndetësore janë të shqetësuara nga përhapja e shpejt e variantit Delta të koronavirusit, i cili po dominon rastet e reja të të infektuarve në mbarë botën.
Në shumë vende, qeveritë kanë shtuar masat e kufizimit për të parandaluar, siç kanë thënë, një mbyllje të plotë siç kishte ndodhur disa herë gjatë vitit të kaluar.
I tillë është rasti i Izraelit.
Pas një rritjeje të ndjeshme të rasteve të reja me COVID-19, Izraeli hapi qendra për testime të shpejta të koronavirusit në të gjithë vendin.
Njoftimi u bë më 8 gusht nga shërbimi i urgjencës Magen David Adom (MDA).
Qeveria izraelite është duke bërë përpjekje që të shmang një izolim tjetër, pas rritjes së rasteve të reja. Disa masa shtesë të kufizimit tashmë janë vendosur, por autoritetet thonë se do të bëjnë çdo gjë për të shmangur një mbyllje të plotë.
Gjatë javës së kaluar, Izraeli ka regjistruar mesatarisht më shumë se 3,000 raste të reja të koronavirusit në ditë. Kjo është shifra më e lartë që nga muaji prill.
Izraeli ishte një nga vendet e para që filloi fushatën e imunizimit kundër COVID-19 në dhjetorin e vitit të kaluar, falë një marrëveshjeje me kompaninë farmaceutike Pfizer që i mundësoi qasje në miliona doza të vaksinës.
Gati 60 për qind e 9.3 milionë qytetarëve të Izraelit kanë marrë dy doza të vaksinës, kryesisht Pfizer/BioNTech. Por, rreth një milion izraelitë ende refuzojnë të vaksinohen edhe pse e gëzojnë këtë të drejtë.
Në Kosovë, prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 111,644 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,274 kanë vdekur.
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njoftoi më 11 gusht se 186 pacientë janë të shtrirë në klinikat ku trajtohen pacientët me COVID-19 – sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi – dhe në spitalet e përgjithshme.
Prej këtij numri, 136 pacientë janë të konfirmuar pozitivë me koronavirus. Dy prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërkaq 117 të tjerë po trajtohen me oksigjenoterapi.