Dialogu Kosovë-Serbi me një marrëveshje gjithëpërfshirëse do të përfundojë brenda një afati të caktuar, që sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi përputhet me mandatin e kryeministrit, Albin Kurti.
Por, një profesor universitar në Prishtinë dyshon se mund të ketë një marrëveshje në heshtje për finalizimin e dialogut nga të gjitha palët, përfshirë edhe Amerikën.
Gjatë intervistës në “Përballje”, Bislimi tha se afatet kohore për arritje të marrëveshjes janë paraqitur, por ai nuk dha një datë të saktë.
Por palës serbe nuk po i pëlqen ky konstatim i institucioneve të Kosovës.
Ai dialogun e lidh me “atë se sa pala kosovare i zbaton marrëveshjet sidomos atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
Mirëpo, profesori universitar Dorajet Imeri dyshon se mund të ketë një marrëveshje në heshtje për fianlizimin e dialogut nga të gjitha palët përfshirë edhe Amerikën.
“Duket se ka një marrëveshje, pasi nuk është vetëm Qeveria e Kosovës që thotë se duhet të afatizohet periudha e negocimit. E kanë përmendur edhe përfaqësuesit amerikan se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti duhet të përmbyllen bisedimet me Serbinë. Konsideroj se mund të ketë një marrëveshje për atë se si duhet të operojmë me kohën në raport me përmbylljen e bisedimeve me Serbinë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Dorajet Imeri.
Ai thotë se megjithatë në këtë proces Kosovën po e penalizon zotimi i marrë më parë për Asociacionin e Komunave Serbe.
“Kosova do të duhet një dijë t’i përdorë armët e saj të forta. Por që pozitën nuk e ka të favorshme në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Prandaj themi se ka njëfarë kompleksiteti në atë se kush çfarë përfaqëson”, deklaroi Imeri.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë u takun së fundmi gjatë së mërkurës në Bruksel, por që takimi trepalësh nuk ndodhi pasi që Serbia insistoi që në atë takim të diskutohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.