Kandidati për deputet i LDK-së, Ismet Beqiri sonte në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova ka treguar se a ka menduar të largohet ndonjëherë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Beqiri është shprehur se gjatë 35 vjetëve të kaluara, pavarësisht sfidave, ai është shprehur se nuk e ka menduar ndonjëherë një gjë të tillë.
“Duhet të jem dhe jam i sinqertë, unë vërtetë gjithmonë kam qenë i sinqertë në raport me opinionin, s’kam çfarë të fsheh, sigurisht që këto 35 vjet nuk kanë qenë të gjitha vaj, sigurisht kam pasur sfida, veçmas mund të them prej 2007-tës e këtej, por asnjëherë nuk e ka menduar, edhe po ta lëja Lidhjen Demokratike të Kosovës, nuk do të vinte në shprehje në asnjë rrethanë të shkojë në ndonjë subjekt tjetër”.
“Por, nuk më ka shkuar mendja asnjëherë ta lë Lidhjen Demokratike të Kosovës, të tërhiqem, sepse kam ndjerë një lloj obligimi ndaj gjithë atij besimi që më është dhënë vazhdimisht mua, LDK-së”, është shprehur ai.
Tutje, Beqiri ka folur edhe për kryetarët e LDK-së, duke thënë se çdoherë i ka pasur më të mirët nga të gjitha subjektet politike.
“E din edhe ata që kanë qenë pas tij edhe ata që janë, kjo është diçka që unë besoj se nuk e kanë synim të bëhen si Ibrahim Rugova, sepse edhe nuk munden edhe tjera rrethana kanë qenë. Mund të them secili i ka vetitë, cilësitë e veta, por mendoj që çdoherë LDK-ja i ka pasur kryetarët më të mirë, prej krejt subjekteve politike”.
“Edhe këtë që e ka aktualisht, z.Abdixhiku unë mendoj që është kryetar që bën dallim me kryetarët e partive të tjera”, është shprehur tutje Beqiri.