A ka vdekur Kim Jong-un? Ja çfarë dihet deri më tani

Prishtinë | 26 Pri 2020 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Mbrëmjen e së shtunës mediat botërore raportuan për disa informacione lidhur me shëndetin e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un, pasi ai nuk është parë në publik që nga data 11 prill kur shkoi në një takim partie.

U publikuan lajme të shumta duke cituar burime në Kinë dhe Japoni se Kim Jong-un, i cili besohet të jetë 36 vjeçar, është në gjendje të rëndë pas një operacioni kardiovaskular, ose madje edhe mund të jetë i vdekur.

Saktësia e këtyre raportimeve ende është e paqartë.

Qeveria e Koresë së Jugut, e cila monitoron nga afër Korenë e Veriut, minimizoi thashethemet më 21 prill dhe tha se Kim duket që ende po e drejton vendin.

“Asnjë zhvillim i pazakontë nuk është zbuluar brenda Koresë së Veriut”, tha zëdhënësi i presidentit të Koresë së Jugut, Kang Min Seok.

Gjithashtu zyrtarët kinezë kanë minimizuar thashethemet se Kim Jong-un është i sëmurë rëndë.

Inteligjenca amerikane raportohet se po monitoron situatën, por Presidenti Donald Trump tha që në fillim të kësaj jave SHBA-të nuk kishin asnjë informacion të besueshëm në lidhje me shëndetin e Kim Jong-un.

Spekulimet për shëndetin e tij kanë ngritur pyetje lidhur me atë se kush do ta marrë fronin si udhëheqës i Korese së Veriut, nëse Kim Jong-un vdes. Ai ka një trung familjar mjaft të komplikuar dhe tre fëmijët e tij të përfolur janë shumë të rinj për të udhëhequr, por motra e tij, Kim Yo-jong, konsiderohet të jetë një figurë e fuqishme që mund ta drejtonte vendin ndërkohë.

Si filluan raportimet lidhur me shëndetin e Kim Jong Un?

Gjithçka nisi më 15 prill, kur Kim Jong-un nuk u paraqit në një festë që përkujtonte lindjen e Kim Il Sung, gjyshit të tij dhe themeluesit të Koresë së Veriut – kjo datë është festa më e rëndësishme e vendit.

Pastaj, thashethemet u intensifikuan kur një media e Koresë së Jugut publikoi një storie ku thuhej se udhëheqësi i Koresë së Veriut i ishte nënshtruar një operacioni në zemër dhe po shërohej në një vilë jashtë Pyongyang, kryeqytetit të vendit. Raporti mbështetej në një burim të vetëm, pa emër, brenda Koresë së Veriut.

Reuters raportoi të premten se Kina dërgoi një ekip ekspertësh mjekësorë për në Korenë e Veriut për të këshilluar për shëndetin e Kim Jong Un, duke përmendur tre burime. Por nuk është e qartë se për çfarë zhvillime shëndetësore bëhet fjalë dhe qeveria kineze nuk dha ndonjë deklaratë për Reuters.

Misteri u shtua me publikimin e imazheve satelitore të shtunën nga një projekt monitorimi i Koresë së Veriut me qendër në Uashington, “38 Veri”. Imazhet treguan se atë që duket të jetë treni privat i Kim Jong Un, në një qytet turistik në Korenë e Veriut.

“Prania e trenit nuk dëshmon vendndodhjen e udhëheqësit të Koresë së Veriut ose nuk tregon asgjë për shëndetin e tij, por u jep rëndësi raportimeve që Kim Jong-un po qëndron në një zonë elitare në bregdetin lindor të vendit”, tha 38 North.

Ashtu siç ndodh me shumicën e ‘mbretërive të vetmuara’, lajmet dhe raportimet janë pothuajse të pamundura për t’u verifikuar.

Qeveria kontrollon me forcë aparatet e saj mediatike dhe nuk ka pranuar të publikojë as informacionet më themelore për familjen Kim – përfshirë moshën e Kim Jong-un, ekzistencën e fëmijëve të tij dhe kur u martua me gruan e tij.

Të ngjashme