Bazuar në parashikimet e fundvitit 2019 nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pritej një përshpejtim i rritjes ekonomike në nivel global përgjatë periudhës afat-mesme, mesatarisht 3.5%, përkatësisht në ekonominë europiane për periudhën 2020-2022 pritej të ketë rritje mesatare rreth 1.6%, ndërsa në ekonominë e Kosovës mesatarisht mbi 4%.
Këto parashikime ishin mjaft shpresëdhënëse edhe për tregjet financiare pas një periudhe të ngadalësimit të rritjes nga pjesa e dytë e vitit 2018 si rrjedhojë e pasigurive në tregti dhe impaktit të Brexit. Askush nuk ka parashikuar tronditjen e madhe që mund të vij brenda më pak se tre muajve nga ato parashikime shpresëdhënëse. Luftës tregtare mes SHBA-së dhe Kinës, pastaj paqartësisë me efektet e Brexit, që për pasojë ndikuan në rënien e prodhimit global, tani iu shtua edhe pandemia COVID-19.
Lirshëm mund të themi që kjo krizë dhe pasiguri e shkaktuar nga “LockDown” apo Izolimi ka marrë përmasa globale dhe do jetë më shkatërruese se të gjitha krizat tjera pas Depresionit të Madh të vitit 1930. Tashmë janë përmbysur të gjitha parashikimet pozitive për vitin 2020, duke projektuar një rënie të BPV-së në nivel global prej 3% në terma realë, përkatësisht në ekonominë europiane parashikohet të ketë rënie ekonomike 7%, ku si pasojë, për shkak të ndikimit të ekonomive të jashtme në relacion me shtetet e Evropës edhe ekonomia e Kosovës do të ketë rënie nga 2.5% deri 5%.
Shpresëdhënës është fakti se rishikimet e parashikimeve i kanë bërë tashmë institucionet ndërkombëtare ku thonë se përgjatë vitit 2021 pritet një rikthim i ekonomisë me rritje globale mbi trendin historik prej 5.8%, edhe pse për shumë vende kjo nuk do jetë e mjaftueshme për t’u rikthyer në nivelin e zhvillimit ekonomik para krizës së shkaktuar nga pandemia COVID19.
Po t’i analizojmë të gjitha që u thanë, kuptojmë që këto valë tronditëse përmes tregjeve financiare kanë ndikuar edhe në rënien e vlerës së fondeve pensionale. Në këtë situatë, shihen se sa janë të përgatitura fondet e caktuara për të përballuar goditjet nga luhatshmëria e tregjeve, pa lënë anash edhe masat adekuate të qeverive për përballimin, stabilizimin dhe rimëkëmbjen e ekonomisë. Me masat e duhura të politikave investive, fondet e pensioneve do të jenë në gjendje të rikuperohen pas pasojave nga kriza COVID-19 në varshmëri nga intervenimi i ekonomive të zhvilluara me masa konkrete për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë reale dhe tregjeve financiare në përgjithësi.
FED-Zyra e Rezervës Federale të SHBA, gjatë muajit Mars ka nisur një plan shpëtimi ekonomik duke aktivizuar hap pas hapi programin më stimulues si asnjëherë më parë, duke deklaruar se do të blejë obligacione qeveritare dhe hipotekare për sa të jetë e nevojshme, që nënkupton program të pakufizuar të blerjes së aseteve, pastaj për dhënie direkte të kredive për biznese të vogla dhe të mesme, programe mbështetëse janë duke bërë edhe FMN, BB e BQE, vendime këto që mund të formësojnë ekonominë globale për dekada të tëra vijuese. Ndërmarrja e masave adekuate nga institucione financiare, nga unionet e shteteve, apo shtete veçmas, përfshirë edhe Kosovën në kontestin regjional, janë jetike për të lehtësuar efektet e pafavorshme të krizës në ekonomi.
Tashmë është e ditur që pandemia ka rezultuar me presione të papara në rrjedhën e parave të gatshme për komunitetin e biznesit dhe tregjet globale të aksioneve, te cilat kanë pësuar rënie të konsiderueshme gjatë kësaj periudhe. Kundër kësaj, edhe skema e pensioneve në sfond (qoftë përfitimi i përcaktuar ose kontributi i përcaktuar) do përballen me sfidat e tyre. Nëse shohim në aspektin afatshkurtër, është sfidë, sepse duhet të administrohet gjendja financiare që rrjedhimisht i prekë të gjitha fondet, përfshirë edhe fondet pensionale.
Rënia e tregut Botëror të aksioneve ditëve të fundit ka bërë që edhe kthimi i investimeve të fondeve pensionale padyshim të ketë rënie. Por, në aspektin afatgjatë nga ekspertet e ekonomisë nuk shihet si sfidë, sepse investimet afatgjata mund të rikthehen pas kalimit të krizës dhe rikuperimit të ekonomisë apo kthimit në normalitet të tregjeve financiare/aksioneve/ bursave etj. As Kosova nuk është e paprekshme nga kjo krizë financiare, në një aspekt nga investimet që ka jashtë vendit, e në aspektin tjetër është mëse e kuptueshme që kur rritet niveli i papunësisë domosdoshmërisht do ketë rënie edhe të kontributeve pensionale apo rënie të të ardhurave në fondin pensional.
Trusti – Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës krahasuar me tronditjen e rëndë të tregjeve financiare dhe pasojave të shkaktuara gjithandej globit, mund të vijmë në përfundim se politikat investuese të Fondit Pensional të Kosovës kanë bërë lëvizje të duhur drejt keshit dhe investimeve në instrumente të borxhit në këto periudha. Struktura e investimeve të rreth 1,945.2 milionë euro, sipas publikimeve të FKPK-së në Prill 2020, është rreth 40% në Të ardhura (Kesh/Instrumente të borxhit), 35.5% në Multi asete me risk të menaxhuar dhe pjesa e mbetur rreth 24.5% në Aksione.
Kthimi bruto -55.5 milionë euro apo rreth -2.93% si pasojë e COVID 19, ndërsa shikuar në një perspektivë më afatgjatë, kthimi nga investimi parashikohet të jetë pozitiv në shumën rreth 430 milionë euro apo 46% prej themelimit. Aktualisht mjete të investuara në Kosovë janë rreth 550 milionë euro apo 28.1%, prej tyre në letra me vlerë të Thesarit të Kosovës rreth 325 milionë euro, dhe te Bankat komerciale rreth 190 milionë euro dhe Kesh në BQK rreth 35 milionë euro, në Europë janë rreth 265 milionë euro apo 13.7%, në Amerikën e Veriut (SHBA & Canada) janë të investuara 933 milionë euro apo 48%, në Azi rreth 132 milionë euro apo 6.8%, në Australi rreth 62 milionë euro apo 3.2% dhe në kontinentin e Afrikës rreth 2.3 milionë euro apo 0.17%.
Nga këto publikime shihet se aktualisht ka mjete të lira mbi 260 milionë euro kesh, këto paraqesin një mundësi të mirë dhe potencial për ruajtjen e likuiditetit të bankave të interesuara për depozita si dhe nevojave të Thesarit për emetimin e letrave me vlerë. Bazuar në rregulloren ligjore, FKPK mund të investojë në letra me vlerë të Thesarit të Kosovës deri në 30% të aseteve, që do të thotë se ende ka hapësirë dhe mjete të lira për investime në Kosovë, kuptohet nëse ka kërkesa.
Luhatjet në tregjet financiare kanë bërë që FKPK-ja të ketë një kthim negativ, situatë kjo që ka ngritur shqetësim tek pronarët e llogarive pensionale, në veçanti tek grupmoshat para pensionimit.
Shikuar në një perspektivë afatgjate, rënia aktuale prej rreth -2.93% për vitin 2020 që ka zvogëluar kthimin e akumuluar, nuk është në nivel shqetësues nëse respektohen parimet e investimeve për këto profile të fondeve. Po ashtu, shqetësimi për personat që arrijnë moshën e pensionit në këto periudha të krizave, FKPK shihet se ka bërë një zgjidhje praktike përmes mbajtjes së mjeteve të kësaj grupmoshe në portofolio investues të veçantë.
Nga praktikat e vendeve me përvojë mund të shohim se grupmoshat psh +63 vendosen në portofolio konservative, të pa ndikuara nga rëniet e tregjeve financiare. Me këtë rast fiton peshë edhe më të madhe investimi në letra me vlerë të Thesarit me maturitet mbi 3 vjeçar si pjesë e këtyre portofoliove. Kështu, fondi pensional nga pozicioni “win-win”, nga njëra anë mund të ndihmoj në rikuperim të shpejtë të ekonomisë në vend, përmes blerjes së letrave me vlerë ku qeveria siguron burime të mjeteve për financimin e shpenzime publike; përmes investimeve (depozitave) në sektorin bankar; gjeneron potencialin kreditor për bizneset dhe sektorin privat, duke kontribuar në zinxhirin e prodhimit, konsumit (ofertës dhe kërkesës), ndërsa nga ana tjetër duke bërë një strehë mbrojtëse për një pjesë të fondeve në kohë të turbullta të paqëndrueshmërisë së tregjeve financiare.