A po e rrezikojnë Sigurinë Kombëtare VV-ja dhe Albin Kurti?

Prishtinë | 16 Shk 2024 | 19:28 | Nga Shenoll Muharremi

Ndoshta është mirë të shohim se cila është DNA-ja e Vetëvendosjes për diplomaci dhe shtetndërtim. Kur nuk e fiton lirinë vetë, thuhet se nuk ia di vlerën. Kështu po sillet Qeveria e Kosovës e drejtuar nga VV-ja.

Përpos lirisë, VV nuk ka marrë pjesë as në ndërtimin e shtetit dhe Republikës së Kosovës.

Në fakt, VV kanë kundërshtuar proceset kryesore që kanë qenë thelbësore për me ardhë deri tek shteti i Kosovës. Kjo nuk do të thotë që nuk kanë legjitimitet me qeverisë me Kosovën, e kanë dhe të thellë.

Pasi që VV-ja nuk ka marrë pjesë në çlirimin e Kosovës dhe në ndërtimin e shtetit, ata po sillen sikurse nuk e kuptojnë dhe nuk e dinë mirë vlerën e lirisë dhe shtet-formimit. Për të konfirmuar këtë tezë, një zyrtar i lartë i partisë tha live në publik “Kosova është shtet i përkohshëm’… Vetëm që nuk tha “Kosova nuk është shtet”.

Sikurse ne te kishim çliruar vetë vendin tonë, shumë më tepër kishim luftuar për lirinë dhe mirëqenien e saj. Por nuk e kemi çliruar vetë dhe tashmë edhe po i rrezikojmë bazamentet e arkitekturës së mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Kosovën e ruan NATO e udhëhequr nga SHBA-ja. Në momenti që SHBA ndalon së mbrojturi Kosovën (shkatërrohet partneriteti), pavarësia dhe integriteti territorial i saj përfundon.

Edhe historia nuk jep referenca të forta që ne kemi luftuar shumë për këtë vend. Për shembull, në Betejën e Parë të Kosovës me 1389 thuhet që serbët kanë luftuar, e në Betejën e Dytë të Kosovës me 1448 hungarezët. Edhe gjatë vitit 1999, kur u liruam nga Serbia, ne e nisëm luftën, por çlirimin e bëri NATO me një angazhim të paprecedentë në histori.

Kjo nënkupton që mbase ne kosovarët, e specifikisht VV dhe Albin Kurt, nuk ia dimë vlerën dhe nuk e kuptojmë rëndësinë e lirisë dhe shtet ndërtimit se nuk e kemi bërë vet. Rrjedhimisht, VV dhe Kurti duket sikurse janë në gjendje, me siguri nga injoranca më shumë sesa nga qëllimi, me e rreziku sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e Kosovës duke u bërë kapadai.

Kjo sjellje mund t’i kushtojë shumë Kosovës në të ardhmen për shkak se kufijtët e Ballkanit janë ndryshuar shumë herë në histori. Të Kosovës mbase më së shpeshti. E kur ti nuk e ke çliruar dhe nuk mund ta mbrosh vetë integritetin territorial pa përkrahjen e NATOs, atëherë ti po rrezikon shumë kur po bëhesh kapadai.

Sikurse së paku të kishim krijuar arkitekturën e mbrojtjes, kishte me qenë më ndryshe. Por na duhen ndoshta rreth 50 miliardë euro investime në mbrojtje për me u mbrojt nga rreziqet e invazionit potencial. Kjo nënkupton rreth 25x më shumë mjete sesa që tani alokojmë në vit. Rreth 2% të GDP e alokojmë në mbrojtje e na duhen rreth 500%.

Prandaj, për me u bë ‘kapadai’ duhet fillimisht me zhvilluar e rritur ekonominë dhjetëra herë nga niveli që kemi sot. Por ne si kosovarë nuk dëshirojmë të merremi me ekonomi. Jemi pa mbrojtje, por kapadai. Kjo sindromë mundet me e rreziku dhe shkatërru zhvillimin më të madh në 6 shekujt e fundit, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kur nuk ke ushtri dhe mbrojtje me përballu një sulm apo invazion nga armiqtë, shpresa e vetme për ty janë aleancat, që aq mirë Rugova dhe UÇK i zhvilluan dhe mirëmbajtën. Por kur ti e shkatërron edhe lidhjen e vetme dhe të fundit për me ruajt integritetin territorial, atëherë ti po rrezikon sigurinë kombëtare të Kosovës. Po rrezikon një investim të madh ndërkombëtarë të paprecedentë që u ndërmor për 25 vite.

Kjo gjendje, nëse vazhdon, sugjeron që më lehtë do të humbin VV dhe Kurti sesa që do të lejohet me u rrezikuar diçka që është ndërtuar me aq shumë mund nga aleanca ushtarake me e madhe në botë dhe nga partnerët tanë si SHBA, Gjermani dhe Mbretëria e Bashkuar. Këtë nuk duket se po e kupton lidershipi i VV-së.

Të ngjashme