Ministri bullgar i Mbrojtjes, Stefan Yanev, tha se nuk ka nevojë që të dërgohen trupa të NATO-s në vendin e tij si përgjigje ndaj grumbullimit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.
Ai shkroi në një postim në Facebook se “një vendim i tillë nuk do të ishte në përputhje me interesat (e aleatëve të NATO-s), as me interesat kombëtare të Bullgarisë”.
Yanev konfirmoi se opsione të ndryshme për përgjigje janë duke u diskutuar brenda NATO-s, përfshirë dërgimin e trupave shtesë në Bullgari e Rumani, shkruan Free Europe, përcjell Gazeta Express.
“Këto procese kërkojnë qasje të përbashkët nga NATO-ja, por pa eskalim të panevojshëm të tensioneve”, shkroi ministri bullgar.
Pozicioni im është se një qasje e tillë (dërgimi i trupave shtesë) e ka potencialin që të çojë në rritje të padëshirueshme të tensioneve në rajon”, shtoi ai.
“Nuk besoj se janë rrethanat e nevojshme që mund ta justifikojnë vendimin për dërgimin e trupave shtesë në territorin tonë. Një vendim i tillë nuk do të korrespondonte as me interesat e unionit, as me interesat kombëtare të Bullgarisë”, thuhet më tej në postimin e zyrtarit të lartë bullgar.