Kryeministri Ramush Haradinaj duket se ka filluar ta zbusë qëndrimin e tij për taksën, pas presionit të madh ndërkombëtar, sidomos atij amerikan, pasi që vendosja e saj ka bllokuar Dialogun Kosovë-Serbi.
Kështu ka lënë të kuptohet vetë ai teksa është përgjigjur me metaforën e “shkrirjes së borës”, kur është pyetur nga gazetarët lidhur me taksën 100 % që Qeveria e Kosovës e ka vendosur për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Taksa është në raport për mallrat që vijnë prej Serbisë dhe Bosnjës. Marrëdhëniet tona janë të ndjeshme pak me Serbinë. Kam thënë që do të shkrihet bora, besoj që shkrihet në të dyja anët”, ka deklaruar Kryeministri Haradinaj, gjatë ditës së djeshme në Pejë, ku në 120 vjetorin e Lidhjes së Pejës shkoi për të bërë homazhe te shtatorja dhe kulla e Haxhi Zekës.
Por, një tjetër mesazh për taksën, ndryshe nga ai i Haradinajt, ka ardhur po dje, në një tjetër përvjetor të mbajtur në Mitrovicë.
Kryeparlamentari Kadri Veseli, gjatë fjalës së tij në Akademinë Përkujtimore me rastin e 103-vjetorit të vrasjes Isa Boletini, ka përsëritur qëndrimin e tij se taksa nuk do të hiqet.
“Taksa nuk do të hiqet përderisa Serbia nuk e respekton Republikën e Kosovës, ndërmarrësit e Kosovës, mallrat e Kosovës. Nuk do të hiqet”, ka thënë Kryeparlamentari Kadri Veseli.
Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100 % ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina më 21 nëntor të vitit të kaluar.
Por, institucionet kosovare janë duke u përballur me një trysni të lartë nga bashkësia ndërkombëtare për heqjen ose suspendimin e saj, në mënyrë që Kosova dhe Serbia ta vazhdojnë Dialogun dhe ta arrijnë marrëveshjen finale për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë tërhequr vërejtjen se mbështetja e tyre për Kosovën nuk është e pakushtëzuar dhe kanë formësuar pozicionin e tyre lidhur me çështjen e taksës me një dokument prej tetë pikësh.
Lista e sanksioneve është e ashpër, ndërsa ajo ka përfshirë edhe refuzimin e vizës amerikane për Kryeministrin Ramush Haradinaj për të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit.
Në këtë situatë, kur Haradinaj duket se është zmbrapsur nga qëndrimi se taksa nuk do të largohet pa e njohur Serbia Kosovën, ndërsa Veseli, nga deklarimet publike, duket se nuk ka lëvizur nga qëndrimi për të mos e hequr taksën, askush nuk është duke kuptuar se çfarë po ndodh.