“A Worn Path” bashkon imazhet e përditshmërisë së Prishtinës

Prishtinë | 04 Dhj 2018 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

“Kamera, sikur një busull, më drejton kah njerëzit dhe nëpër rrugë qorre, oborre, shitore e objekte të boshatisura – gjithçka në kërkim të përditshmërisë. Me secilën ecje, secilën bisedë, secilën gjë të lexuar, naiviteti zbutet dhe njohuria zmadhohet. Idetë bashkohen, ndahen dhe pastaj riformohen”, shkruan fotografi amerikan Matt Kollasch në parathënien e librit me fotografi të shkrepura kryesisht në Prishtinë.

Gjërat që ka parë, dëgjuar e shijuar në kryeqytet ia kanë nxitur kureshtjen për t’u dhënë formë rrëfimeve të shtegut të tij nëpër Prishtinë. “A worn path” (Një shteg i rrahun) është titulli i librit me fotografi që u promovua të hënën mbrëma në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Bashkë me promovimin e librit, Kollasch ekspozoi fotografi të formateve të mëdha. Ekspozita e përkrahur nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë ka shpërfaqur mënyrën sesi Kollasch e ka parë kryeqytetin në dy vjetët e fundit. Sheshi “Nëna Terezë” është pasqyruar i kapur nga kulmi i ish-hotelit “Grand”.

“Presidenti Ibrahim Rugova qëndron këtu mes kosovarëve, si hero kombëtar”, është përshkrimi nën fotografinë, që në fokus e ka portretin e presidentit historik. Ekspozita dokumenton momente nga parada e parë e komunitetit LGBTI në Prishtinë, “In the name of Love”, sikurse edhe ekspozon objekte të ndryshme, përfshirë Xhaminë e Çarshisë, dyqane të ndryshme – mes së cilave “Hillary”. Një televizor i ndezur në ambiente të pazarit është ndalur në një konferencë për media të presidentit Hashim Thaçi. Kollasch, i njohur për projekte të kësaj natyre nga vende të ndryshme të botës, nëpërmjet fotografive të tij e dokumenton jetën e përditshme në kryeqytet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme