Nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi në një prononcimi për arbresh.info ka treguar se pse kandidati për kryeministër nga PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, nuk po përballet me dy kundër-kandidatët e tij nga koalicioni LDK-AKR, Avdullah Hotin dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.
Ai ka thënë se ne nuk kanë nevojë për debate të kota të cilat nuk prodhojnë efekte.
“Arsyeja se pse Ramush Haradinaj nuk po merr pjesë në debate televizive është afati i shkurt i fushatës zgjedhore, Ramushi ka nevojë të takohet me qytetarë sa më shumë këto ditë për t’ju treguar se si do të udhëheq me Qeverinë e Kosovës për të shpalosu programin e kësaj qeverie.”
Isufi ka thënë se kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj nuk ka kohë me humbë në debate koti.
“Ramushi nuk ka nevojë të humbë kohë në debate koti sepse është koha e shpalosjes së programeve politike dhe jo e debateve të cilat po devalvojnë ne nuk kemi nevojë për debate të cilat nuk prodhojnë ndonjë efekt, zoti Haradinaj ka zgjedhur mënyrën e komunikimit me qytetarët e Kosovës për të bërë pikëpamjet e tij edhe vizionin për implementimin e programit njëkohësisht për të i’u treguar se është i gatshëm të jap llogari para qytetarëve të Kosovës,” është shprehur Isufi për arbresh.info.
Haradinaj deri më tani vazhdimisht ka refuzuar kërkesën e medieve për një përballje me dy kundër-kandidatët e tij për kryeministër nga koalicioni LDK-ARK dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Ky refuzim është përcjellë me tone kritike nga njohës të rrethanave politike në vend.