Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë dhe NISMA Socialdemokrate nuk duan të flitet për kufijtë në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimit Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se janë ngopur me rezoluta, duke kërkuar hartimin e një platformë për të shkuar më tutje në këto negociata, raporton EkonomiaOnline.
“Ne jemi ngopur me këto rezoluta. Të ulemi bashkë të harmonizojmë rezolutën. Hajde të ulemi dhe e bëjmë platformën, e bëjmë ekipin dhe i kryejmë punët tona. Kushtetuta e Kosovës e thekson shumë mirë se si duhet të mbrohet integriteti, sovraniteti i vendit. Prandaj të mos bëjmë shumë fjalë, por ta bëjmë rezolutën, ta votojmë në parlamentin e të shkojmë më tutje e nuk ka nevojë me mbajt më rezoluta nga secila parti,” deklaroi Isufi.
Shefi i Grupit Parlamentar të NISMA Socialdemokrate, Bilall Sherifi, kërkoi konkretisht që në rezolutë të theksohet pamundësia që çështja e kufijve të shtrohet në negociatat në Bruksel.
“Nëse tash dëshironi të dilni si shpëtimtarë të Kosovës atëherë duhet të pranoni faktin se nuk jeni mjaft duhet të bëheni me ne. E si të shpëtohet Kosova me neve të këqijtë, që nuk po bëhemi bashkë. Nëse jemi gati që të ndalim një projekt. Le të lëvizim nga ky pozicion dhe të shfrytëzojmë këtë seancë që të bëjmë këtë rezolutën, NISMA mbështetë kërkesën që të mos flitet për territor të njëjtën gjë e kanë thënë edhe partitë e tjera të koalicionit. Ajo pikë është në propozimin për rezolutën tuaj, por rezoluta të jetë gjithëpërfshirëse edhe në pikat tjera. Të vazhdojmë të hedhim disa pika se çfarë të diskutohet,” tha Sherifi në seancën e jashtëzakonshme për dialogun.
Ai kërkoi që të mos shtyhen, por që bashkërisht të shpëtojnë vendin, raporton EO.
“Nuk është korrekte të kërkohet nga partitë e mazhorancës që të bëhen bashkë për të shpëtuar vendin nga ne. Kërkoj që të mos shtyhemi me njëri tjetrin se kush e do më shumë vendin por të ulemi e të shohim se a duam qe nga kjo seancë të dalim me një rezolutë të përbashkët.”