Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e bindur se lideri i tyre, Ramush Haradinaj, do të lirohet të enjten, kur edhe pritet të mbahet seanca e fundit gjyqësore në Colmar të Francës.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, tha për Ekonomia Online se nesër do të ndodhë lirimi i pakusht i Haradinajt dhe se ai do ti kthehet punës dhe vendit. “Kosova është e varfër pa prezencën e tij”.
“Ne si Aleancë kemi menduar që pa të drejtë është ndalur zotëri Haradinaj dhe nuk është dashur që të prolongohet kaq ditë zotëri Haradinaj të jetë në Francë dhe ta pengojnë punën e tij të përditshme dhe mendojmë që nesër do të ndodhë lirimi i pakusht i zotëri Haradinajt, kthimi i tij në Kosovë, familjes dhe punës së tij të përditshme sepse Kosova është e varfër pa prezencën e zotëri Haradinaj”, tha Lekaj në një prononcim para kamerës së Ekonomia Online.
Lekaj, thekson se Haradinaj duhet t’i kthehet shtetit të Kosovës.
“Nuk ka çka të ndodhë sepse e dimë që zotëri Haradinaj padrejtësisht ndalet në Francë në Colmar dhe padrejtësisht është trajtuar nga Franca me një vendim puro politik të regjimit të Serbisë që mendoj që është e padrejtë dhe zotëri Haradinaj është qytetar i lirë dhe duhet t’i kthehet jetës së vetë dhe shtetit të Kosovës”.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë.
Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi me kusht Ramush Haradinajn, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi.
Në seancën e nesërme gjyqësore pritet të shqyrtohet kërkesa për ekstradim nga ana e Serbisë.