Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që të dekretojë në Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve, anëtarët për të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se të gjitha partive u është kërkuar nga një anëtarë, por sipas tij, nuk kanë asnjë konfirmim që anëtari i tyre do të dekretohet të enjten.
“Procedura ka shkuar kështu të gjitha grupeve parlamentare u është kërkuar nga një anëtarë, i kanë dërguar anëtarët grupet parlamentare dhe i ka presidenti në zyrën e tij. Prandaj duhet t’i dekretojë të gjithë. Asnjë s’kemi marrë konfirmim që anëtari jonë është njëri nga ata që duhet të dekretohet nesër, prandaj presidenti duhet ta kryej rolin e vet duke pas parasysh gjashtë grupet parlamentare që kanë të drejtë të kenë nga një anëtar”, tha Isufi.
Ai në një konferencë për media, paralajmërojë që do t’i bashkohet partive të tjera për dërgimin e rastit në Kushtetuese.
“Jam duke folur deri tani për gjendjen. Nëse presidenti nuk i dërgon gjashtë grupeve parlamentare, i ka kërkuar emrat e tyre, atëherë normalisht që do të dërgojmë në Kushtetuese”, u shpreh Isufi.
Sipas tij, të gjithë grupet parlamentare duhet të kenë nga një anëtarë në KQZ.
“Duke ditur se nesër presidenti ka paralajmëruar që të dekretojë anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor, gjashtë grupe parlamentare duhet të jenë të përfaqësuara në KQZ. Kjo është detyra e presidentit, prandaj nuk duhet të anulohet asnjë nga grupet parlamentare që ua jep Ligji për Zgjedhje”, tha ai.
Të enjten Presidenca ka njoftuar se kreu i shtetit do të dekretojë anëtarët e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, të cilët përfaqësojnë partitë politike.