Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të mblidhet sot në orën 16:00 në selinë qendrore të kësaj partie për të diskutuar koalicionin e ardhshëm me LDK-në dhe Nismën.
Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Rexhep Kadriu, i tha Gazetës Express se Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së së bashku me kryetarët e degëve do të mblidhen sot në orën 16:00.
Rexhepi tha se në këtë mbledhje do të diskutohet koalicioni me LDK-në dhe do të aprovohen emrat e propozuar nga kryetari Haradinaj për kabinetin e ardhshëm qeveritar.
“Në ora 16:00 është ftuar mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së për t’u diskutuar koalicioni i ardhshëm si dhe aprovimi nga anëtarët e këshillit për emrat e propozuar nga kryetari Haradinaj”, ka thënë Rexhepi.
Haradinaj dje është takuar me të propozuarin për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti ka kanë folur për parimet kryesore në qeverisjen e ardhshme.
Ai ka paralajmëruar se nënshkrimi për koalicionin qeverisës mund të ndodhë brenda pak ditëve.
“Mendoj se mund të ndodhë brenda disa ditësh nuk mund të marrë më shumë se një javë. Ai ka thënë se nuk do të marrë ndonjë post brenda qeverisë”, u shpreh ai dje pas takimit.
Ata janë pajtuar që numri i ministrive të mbetet 15, kurse vetë Haradinaj është shprehur se nuk do të ketë ndonjë post ekzekutiv në kabinetin qeveritar.