AAK-ja në orën 11:00 do të vendosë se a do t’i shkojë Osmanit në takim

Prishtinë | 22 Dhj 2020 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ende nuk ka vendosur se a do të shkojnë në takim të thirrur nga ushtruesja në detyrë e presidencës Vjosa Osmani për t’u konsultuar rreth mbajtjes së zgjedhjeve të përkohshme.

Nënkryetari i kësaj partie, Pal Lekaj i ka thënë Insajderi se në orën 11:00 AAK-ja do ta ketë një mbledhje të kryesisë, e më pastaj do të vendosin se a do t’i shkojnë Osmanit në takim apo jo.

“Po sa i përket ftesës së u.d së presidencës, Aleanca në 11:00 e ka mbledhje e kryesisë, aty do të merret vendimi”, ka thënë Lekaj.

U.d e presidentes pritet që në orën 16:00 ta takojë kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

Kushtetuesja ka konstatuar se, në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ajo po ashtu ka konstatuar se, Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe duke pasur parasysh se Qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme