AAK-ja nuk i shkon Osmanit në takim për zgjedhjet në veri

Prishtinë | 14 Nën 2022 | 12:37 | Nga Ekonomia Online

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin e presidentes, Vjosa Osmani, me partitë politike ku do të diskutohet për zgjedhjet në veri.

AAK ka dalë më një propozim prej 4 pikash, që bën thirrje për të rikthyer situatën në normalitet dhe se sipas tyre, derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, kjo parti nuk do të jetë pjesë e nismave politike.

Kjo është përgjigja e AAK-së:

Përgjigje për takimin e thirrur nga Presidentja për zgjedhjet në veri

AAK ka dalë më një propozim prej 4 pikash, për të rikthyer situatën në normalitet, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën, e të cilat janë:

  1. Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale.
  2. Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në insitucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.
  3. Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.
  4. Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë-Serbi.

Për këtë qëllim e kemi thirrur në interpelancë edhe kryeministrin e vendit.

Dhe derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, ne nuk do të jemi pjesë e nismave, që veç sa e komplikojnë edhe më tej situatën në vend.

Të ngjashme