Kërkesën e Ambasadës turke në Prishtinë, që Qeveria të ndërmarrë masa ligjore ndaj gazetarit Berat Buzhala, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideron si të “pavend dhe të panevojshme”.
“Kërkesa e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Prishtinë, që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa ligjore ndaj gazetarit Berat Buzhala, për shkak të një satatusi të tij në Facebook, që lidhet me ngjarjet në Turqi, aq më tepër kur ai është publikuar në cilësinë e një satire, konsiderojmë se është e pavend dhe e panevojshme”, thuhet në komunikatën për media.
Partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, thotë tutje në komunikatë se është kundër cenzirimit të mendimit ndryshe “posaçërisht nëse ai është joformal i mveshur me elemente satirike, si në rastin konkret”.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është kundër censurimit të çdo mendimi ndryshe, posaçërisht nëse ai është joformal dhe i mveshur me elemente satirike, si në rastin konkret, i cili besojmë se nuk mund të jetë në kundërshtim as me ligjet e Kosovës”.
“Kosova është përcaktuar në rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe rrjedhimisht liria e shprehjes dhe e mendimit, është ndër vlerat themelore të këtij përcaktimi si dhe zhvillimit tonë si shoqëri dhe si shtet”, thuhet në komunikatën e AAK-së.