Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AKK) thotë se kundërshtimi që kjo parti po i bën Demarkacionit dhe formimit të Asociacionit të Komunave Serbe ka ndikuar në rritjen e shtrirjes së saj organizative, si dhe konsolidim në të gjitha pjesët e Kosovës.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, iu është drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të AAK-së, nëpërmes faqes së tij në Facebook.
Ai ka thënë se është “i mrekulluar me një punë të shkëlqyer që është bërë në disa muajt e fundit në AAK”.
“Strukturat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, janë në fazën përfundimtare të procesit e analizës brenda organizatës politike. Në muajin e fundit, ekipet përfaqësuese të të gjitha strukturave të AAK-së, kanë vizituar 381 nëndegë, ndërkohë që procesi do të vazhdojë edhe për 300 nëndegë të tjera”.
“Nga të gjeturat e ekipeve të ngarkuara, del se AAK, krahasuar me periudhën e para zgjedhjeve të fundit, ka një shtrirje organizative në rritje, si dhe një konsolidim të organizatës politike në nivelet më themelore të saj dhe në të gjitha pjesët e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, nga nëndegët e vizituara, rreth 100 prej tyre, tashmë kanë aplikuar sistemin e riorganizimit të plotë, duke përfshirë edhe udhëheqjet e tyre. Një vëmendje më e sforcuar i është kushtuar pjesëve ku AAK-ja nuk ka pasur rezultate të kënaqshme në periudhën e shkuar.
“Gjatë këtij procesi, janë evidencuar edhe mbi 2 500 anëtarësime të reja, që i kanë dhënë një fuqi tjetër AAK-së. Ndër arsyet e aderimeve të reja, janë përmendur shkëputja totale e institucioneve qeverisëse nga problemet dhe temat me të cilat përballet popullata, por edhe konsistenca e AAK-së, jo vetëm në kundërshtimin e dy temave me pasoja të rënda për vendin, por edhe në vendosmërinë dhe kursin e saj të vendosur për zhvillimin dhe forcimin e Kosovës”, thekson Haradinaj.
Bashkë me postimin, Haradinaj ka vënë një fotografi nga protesta e organizuar në pranverë kundër Demarkacionit dhe Asociacionit.