ubjekti politik, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka njoftuar se nuk do të bëhen pengesë për ndërtimin e institucioneve të reja të vendit pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Kjo është thënë në një reagim të bërë ndaj politikanes serbe nga Kosova, Rada Trajkovic.
“Aleanca nuk do të mbajë qëndrim bllokues në procesin e konstituimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Deklaratat e znj. Trajkoviq se gjoja AAK paska ndikuar në zgjedhjen e deputetëve minoritarë me qëllim të “kurdisjes” së zgjedhjes së Presidentit, janë gënjeshtër e kulluar, por edhe cinike e qesharake”, thuhet në qëndrim.
“Nuk është hera e parë që zonja në fjalë dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes me deklarata pompoze, por kjo është shumë e tepërt. Problemet që komuniteti i saj i ka brenda llojit, nuk duhet t’i adresojë dhe të hedh fajësinë tek të tjerët, e më së paku te një organizatë e dëshmuar për transparencë e konsistencë në tërë historinë e saj politike”.
Aty thuhet se AAK parasegjithash e ka Kosovën.
“Që nga nominimi i kryetarit Ramush Haradinaj si kandidat për President të Republikës, secili veprim i AAK-së në realizimin e këtij qëllimi, që ne e konsiderojmë të nevojshëm për Kosovën, ekuilibrin e pushtetit dhe ruajtjen e demokracisë, ka qenë plotësisht transparent dhe i njohur për qytetarët!”.