Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon kundërshtimin kundër heqjes së taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Pasi disa aktivistë të këtij subjekti hodhën me vezë zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti, tani AAK paralajmëron dicka tjetër.
Të rinjtë e kësaj partie do të organizojnë një aksion para Qeverisë së Kosovës nesër.
Këtë e ka bërë të ditur Aleanca e të Rinjve të Kosovës në një komunikatë për medie.
Aksioni do të mbahet në ora 12:00 para ndërtesës së Qeverisë.
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, kishte vendosur taksën 100% në vitin 2018 si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë për mos pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Kryeministri i tanishëm, Albin Kurti, ka premtuar që taksa do të hiqet dhe në vend të saj do të vihet reciprociteti i plotë me Serbinë.
Presioni ndërkombëtar, sidomos i amerikanëve, ka qenë më i theksuar kohëve të fundit ëpr largimin e taksës në mënyrë që dialogu me Serbinë të vazhdojë.