Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës theksoi të mërkurën se koalicioni i dështuar nuk ka kuorum për temat e rëndësishme për Kosovën.
AAK vlerëson se shumica parlamentare po sillet si pakicë, duke mos pasur në vazhdimësi numrin e nevojshëm të deputetëve të vet në seanca.
“Edhe sot u pa shumë qartë se ky koalicion nuk mund të vazhdojë tutje…edhe pse tenton të shfaqë arrogancën e numrave, në mungesë të tyre, mazhoranca po shfaqet vobektësinë dhe nuk është në gjendje të marrë asnjë vendim”, thuhet në njoftim.
Sipas kësaj partie, edhe diskutimet për projektligje bëhen vetëm sa për sy e faqe dhe nuk diskutohen në mënyrë thelbësore.
“Rasti konkret është Ligji për liritë fetare i cili është në plotësim ndryshim, e para nuk ka asnjë ndryshim nga i kaluari dhe e dyta duke qenë se për këtë ligj duhen dy të tretat e deputetëve po ashtu edhe dy të tretat e komuniteteve të përfaqësuara në Kuvend, këta sillen sikur i kanë të gjitha votat, a në realitet nuk kanë as kuorum për seanca”, thuhet në reagimin e AAK-së.
“ Prandaj po kuptohet dita ditës së zgjedhjet e parakohshme nuk janë më vetëm “dëshirë” siç disa po tentojnë ta interpretojnë, po nevojë dhe për këtë duhet të veprojmë sa ma parë. Subjektet politike parlamentare, nuk duhet të jenë të kënaqura me mënyrën se si po funksionon kuvendi dhe qeveria, deputetët të shfrytëzojnë të drejtat e tyre kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës e t’i kthehemi vlerësimi qytetarë, kështu e thotë demokracia”, thuhet në reagimin e AAK-së.