Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka njoftuar se kjo parti ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës një seancë për ngritjen e çmimeve, raporton Ekonomia Online.
Tahiri tha se rritja e çmimeve të konsumit është problem serioz, e sipas tij është shqetësuese qasja e Qeverisë ndaj kësaj çështje.
“Grupi Parlamentar i AAK-së dje ka kërkuar nga Kuvendi një seancë, mocion përmbajtësor, një debat parlamentar në raport me një ndër temat më të rëndësishme këtë kohë për qytetarët e Kosovës, ngritjes së çmimeve enorme të produkteve esenciale, dhe të tjera”.
“Presim që Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në një afat sa më të shpejtë ta adresojë këtë temë në mënyrë që kjo temë të debatohet aty ku e ka vendin”.
“Për grupin parlamentar të AAK-së me bindje të plotë edhe për qytetarët, rritja e çmimeve të konsumit në të gjitha nivelet, në veçanti të produkteve ushqimore, është trend jashtëzakonisht shqetësues dhe problem jashtëzakonisht serioz. Edhe ma shqetësuese qasja që ka Qeveria Kurti për trajtimin e kësaj teme. Rritja e çmimeve ka filluar në një kohë më të hershme, ndërsa veprimet e qeverisë janë të vonuara”.