Abazi: Anti-demokratike të gënjehet për kërcënim ndaj Kurtit duke keqpërdorur RTK-në dhe AKI-në

Prishtinë | 13 Shk 2024 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, e ka vlerësuar si anti-demokratike dhe anti-kushtetuese që të gënjehet opinion publik për kërcënime ndaj kryeministrit Albin Kurti, “duke e përdorur transmetuesin publik dhe duke keqpërdorur AKI-në”.

Nëpërmes një postimi në Facebook, ish-deputeti i Vetëvendosjes ka radhitur disa nga veprimet e pushtetit që i ka cilësuar si anti-demokratike dhe anti-kushtetuese, ku ka përfshirë dhe refuzimin e Qeverisë që të përgjigjet në pyetjet e deputetëve.

“Këto veprime janë shkatërruese për rendin kushtetues dhe republikën parlamentare. Duhet seancë parlamentare urgjente për sjelljen jodemokratike dhe jokushtetuese të ekzekutivit”, ka theksuar Abazi.

POSTIMI I PLOTË:

Është gabim, antidemokratike dhe antikushtetuese:

🔴 Të refuzohen pyetjet e deputetëve drejtuar ekzekutivit,

🔴 Të flitet me Danimarkën për dhënien e Burgut të Gjilanit në përdorim, përderisa ka refuzim të fuqishëm në Parlamentin e Kosovës dhe në shoqërinë civile për këtë gjë,

🔴 Të gënjehet opinioni publik për kërcënime ndaj Kryeministrit duke përdorur transmetuesin publik dhe duke keqpërdorur AKI-në dhe duke mos paraqitur asnjë fakt, as kundërshtim ndaj deklaratës të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë që demanton Qeverinë e Republikës së Kosovës.

🔴 Të përcaktohet Komisionieri i FSK-së nga një njeri pa legjitimitet dhe pas asnjë transparencë. Është edhe RREZIKIM I SIGURISË KOMBËTARE!

Këto veprime janë shkatërruese për rendin kushtetues dhe republikën parlamentare. Duhet seancë parlamentare urgjente për sjelljen jodemokratike dhe jokushtetuese të ekzekutivit. Ministrja e Drejtësisë duhet të thirret me urgjencë në Komisionin Parlamentar për deklarimet e rrejshme lidhur me marrëveshjen me Danimarkën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme