Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj nuk do të jetë jetëgjatë për shkak të obstruksioneve që do t’i paraqesë Lista Serbe.
Kështu ka theksuar analist politik, Haki Abazi.
Ai në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se Lista Serbe, e cila është e ndikuar nga Beogradi do të paraqes probleme edhe në legjislativin e vendit, për arsye se fati i shumë ligjeve do të jetë në dorën e tyre.
“Do të jetë e qartë që çështje si ajo e themelimit të ushtrisë nuk mund të ec përpara, sepse do të ketë nevojë për ndryshime kushtetuese. Nuk shoh mundësi që serbët ta lejojnë të kaloj ushtria, përveç nëse do të bëhet kompromis me këtë temë, me krijimin e divizionit serb brenda këtij mekanizmi, që do ta fragmentarizojnë këtë institucion”, ka shtuar Abazi.