Boiken Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje, përpjekjen e udhëheqësve të vendit për bërjen e një rezolute të dialogut Kosovë-Serbi, po e sheh si rezolutë të Kadri Veselit për ta mbajtur Hashim Thaçin në krye të dialogut.
Abazi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Rezoluta në fjalë nuk do të pranohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Kadri Veseli ka nxjerr një draft rezolutë për t’ia zgjatur jetën koalicionit qeverisës ilegjitim që nuk e ka shumicën e votave në Kuvend, për ta mbajtur Thaçin në krye të dialogut me Serbinë, për t’u tallur me inteligjencën e qytetarëve që nuk e kanë harruar se edhe për Demarkacionin kishte rezolutë paraprake që nuk u respektua, dhe në fund 2/3 e Kuvendin (siç propozon edhe draft rezoluta e Veselit) nuk e ndalën humbjen e territorit as përball Malit të Zi e lëre më përball Serbisë”, thotë Abazi.
Postimi i plotë i Abazit:
“Kadri Veseli ka nxjerr një draft rezolutë për t’ia zgjatur jetën koalicionit qeverisës ilegjitim që nuk e ka shumicën e votave në Kuvend, për ta mbajtur Thaçin në krye të dialogut me Serbinë, për t’u tallur me inteligjencën e qytetarëve që nuk e kanë harruar se edhe për Demarkacionin kishte rezolutë paraprake që nuk u respektua, dhe në fund 2/3 e Kuvendin (siç propozon edhe draft rezoluta e Veselit) nuk e ndalën humbjen e territorit as përball Malit të Zi e lëre më përball Serbisë. Draft-rezoluta e re është hartuar bashkë me anëtarët e tjerë të koalicionit qeveritar PDK-AAK-NISMA-AKR, duke “mandatuar” edhe një delgacion (pa kompetenca), me përfaqësues nga të gjitha partitë, si lodër e Hashim Thaçit në dialog. E gjithë kjo farsë bëhet në kohën kur Thaçi do duhej tashmë të kishte dhënë dorëheqjen dhe vendi tashmë do duhej të ishte futur në zgjedhje parlamentare të parakohshme.
Teksti i kësaj rezolute fillon me cilësimin e të kaluarës si “tragjike”. Thelbi i çdo tragjedie qëndron pikërisht tek ideja se ngjarjet nuk mund të ishin zhvilluar ndryshe, e për pasojë ndodh e pashmangshmja e padëshirueshme: tragjedia. Në “tragjedi” nuk ka “fajtorë” në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pasi aktorët e përfshirë janë në dorë të fatit, të shtyrë nga fuqi që janë përtej kontrollit të tyre, në ngjarje që nuk i kanë krijuar vetë ata. Pra, Kadri Veseli, ndër të tjera e shtrembëron të kaluarën, pa u marrë me motivet dhe synimet e krimeve të Serbisë në Kosovë, po duke i cilësuar ngjarjet thjeshtë si “tragjike”. E kur e kaluara kriminale e Serbisë në raport me Kosovën cilësohet si “tragjike”, kjo do të thotë se të dy palët mund të kenë patur faj, sepse “xhelati” (Serbia) “tragjikisht” nuk mund të dilte nga roli dhe e kishte të “pashmangshme” t’i kryente vrasjet dhe përdhunimet, kalljet e shtëpive dhe deportimet.
Rezoluta e Veselit, është thirrje për të inskenuar një tragjedi për të ardhmen e Kosovës. Por, të gjitha palët e përfshira në këtë farsë dinë dhe munden të veprojnë ndryshe. Lëvizja VETËVENDOSJE!, jo vetëm di dhe mundet, por edhe do të veprojë ndryshe, bashkë me popullin”, ka shkruar Abazi.