Abazoviq: Vota e Malit të Zi kundër Kosovës tregon realitet të ri

Prishtinë | 29 Mar 2024 | 08:51 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se vota kundër Kosovës e Malit të Zi në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës reflekton realitetin e ri të shumicës në këtë shtet.

Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij Mali i zi e ka mbështetur tërësisht Kosovën.

“Por ky është realiteti i ri. Kjo ndodh sepse mazhoranca është krijuar me parti që nuk ndajnë të njëjtin vizion, programe dhe vlera. Ata mendojnë se kjo mund të funksionojë, unë them të kundërtën”, ka thënë Abazoviq në një intervistë për Euronews Albania.

I pyetur për mungesën e rezultateve konkrete në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Abazoviq ai u ka bërë apel palëve që sa më shpejt të gjejnë një zgjidhje.

“I kemi humbur 20 vjet, nuk mund të presim edhe 20 të tjera, por duhet të jemi konkretë. Unë e mbështes gjetjen e marrëveshjes përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës dhe i ftoj të dyja palët, qeveritë, udhëheqësit të ulen së bashku dhe të gjejnë zgjidhjen për të ardhmen e atyre njerëzve që jetën e tyre e shohin në rajon”, është shprehur Abazoviq.

Të ngjashme