1.5 miliard euro është zotimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të investuar në kryeqytet, ndërsa nuk munguan as kritikat për nivelin qendror, raporton Ekonomia Online.
Zotimi u nënshkrua sot nga kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, tha se buxheti i paraparë për Prishtinën do të jetë 1.5 miliardë euro.
“Fillimisht synojmë të rrisim buxhetin për investime kapitale. Kemi pesë miliardë euro e që në total do të kemi 16 miliardë euro në katër vitet e ardhshme. 5 miliardë euro do të kemi investime kapitale në krejt Kosovën, 1.5 miliard euro do të jenë vetëm për Kryeqytetin dhe punën e parë do ta bëjmë nënshkrimin për Unazën e Jashtme, ku kostoja e saj është 206 milionë euro, ndërsa shpronësimi prej 154 milionë euro do të bëhet nga niveli qendror”, u shpreh Abdixhiku.
Zotim tjetër i Abdixhikut ishte edhe ndërtimi i Spitalit të ri të Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Sportit.
“150 mijë metra katror dhe do të kushtojë 500 milionë euro dhe do të ketë klinika të reja që i duhet e gjithë Kosovës. Do të ketë lokacion të ri. Në vend të QKUK-së do të ketë një park të ri që i duhet Prishtinës. Stadiumi kombëtar, pishinë olimpike, Fakulteti i Edukatës Fizike dhe qendër hotelierike dhe komerciale”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Prishtina ka njerëz që kanë vizion për të ecur përpara. Por, sipas tij ka munguar përkrahja nga niveli qendror.
“Kryeqyteti ka njerëz me vizion të qartë, mirëpo këtë vizion nuk e kemi pasur nga niveli qendror, ku kemi pasur sabotazhe si për shembull Unazën e Qytetit që është një projekt madhor që i duhet jo vetëm kryeqytetit por e gjithë Kosovës. Jam i kënaqur që e kemi një kryeministër që ka me nënshkrua
këtë projekt”, tha ai.