Abdixhiku: Duhet të jemi të pa kompromis me kapjen e shtetit

Prishtinë | 11 Shk 2026 | 22:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në fjalën e tij të parë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës nuk i kurseu kritikat për qeverisjen e fundit nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku përmendi se LDK ka qëndrime në këtë legjislaturë.

“Ne sot kemi nevojë për të qëndruar, jo përballë një qeverie të zakonshme, por përballë një pushteti që i ka të gjitha numrat, institucionet, mjetet dhe kohën. Dhe mbi të gjitha, përvojën e zymtë të pesë viteve të shkuara me fjalë shumë e pak rezultate. Të qëndrosh përballë këtij pushteti nuk do të thotë kundërshtim i verbër, sa për hir të kundërshtimit. Do të thotë mbrojtje e shtetit nga tronditja e pushtetit për të mos pasur kufij. Do të thotë ruajtje e hapësirës ku fjala e lirë thuhet pa frikë dhe ku shteti nuk shndërrohet në zotërim të një force të vetme politike. Në këtë kuptim, të qëndrosh përballë pushtetit që ka gjithçka, është mënyra e vetme për të ruajtur atë që nuk duhet të ketë askush i vetëm: fatin e Republikës së Kosovës. E ky fat kërkon qëndrime pa kompromis me të keqen. Dhe LDK-ja ka pesë qëndrime të pa kompromista në këtë legjislaturë”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku në fjalën e tij tha se duhet të jenë të pakompromis në kapjen e shtetit dhe në luftën ndaj korrupsionit.

“Duhet të jemi të pa kompromis me kapjen e shtetit, me çdo përpjekje për ta nënshtruar institucionin shtetëror ndaj një partie politike, me çdo zbehje të profesionalizmit, me bindje partiake dhe me çdo ndërhyrje në drejtësi. Këto nuk janë gabime teknike, janë rreziqe shtetërore, përballë të cilave Lidhja Demokratike e Kosovës duhet dhe do të qëndrojë pa kompromis. Duhet të jemi pa kompromis me luftën ndaj korrupsionit, korrupsionit qeveritar. Sepse ai nuk e dëmton vetëm buxhetin, por e grryen besimin. Dhe një shoqëri që humb besimin te shteti i vet, fillon të tretet nga brenda. Në mendje, në shpirt dhe siç po ndodh së fundmi, edhe fizikisht. Duhet të jemi pa kompromis me ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Sepse kushtetuta jonë nuk është tekst për nevoja ditore, por është kontrata që e mban Kosovën të bashkuar. Shkeljet e kushtetutës janë shkelje të të gjithë shkallëve për të cilën ne ekzistojmë si Lidhje Demokratike e Kosovës. Kur nuk e mbrojmë themelin e besimit tonë politik, nuk kemi pse të ekzistojmë politikisht. Prandaj duhet ta mbrojmë kushtetutën me çdo çmim. Duhet të jemi pa kompromis me orientimin euro-atlantik të Republikës së Kosovës. Sepse ky shtet nuk e ka luksin e pavarësive strategjike. Kosova është ndërtuar mbi aleanca, mbi besim, mbi një orientim të qartë politik që nuk lë as hapësirë as kompromis në momentet për zgjidhje historike. Çdo lëkundje e këtij orientimi, çdo sinjal i paqartë ndaj partnerëve tanë, e çdo tentim për ta relativizuar rrugën euro-atlantike, nuk duhet të trajtohet si një manovër e vetme politike e brendshme, por duhet të trajtohet si rrezik për pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës” theksoi i pari i LDK-së.

Të ngjashme