Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, seancën e veçantë për shënimin e 23-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, e ka nisur me falënderime ndaj ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku tha se është humbje e madhe për Kosovën vdekja e ish-sekretares amerikane.
Tutje ai tha se 24 marsi i 99 shënon një momentum të ri për Kosovën e përpjekën për liri.
“Po bëhen 23 vjet nga intervenimi ushtarak i NATO-s mbi caqet Jugosllave; dhe kështu i fillimit të fundit të vuajtjeve të popullit të shtypur në Kosovë. 24 marsi i vitit 1999 shënon një momentum të ri historik për Kosovën e për përpjekjen tonë kolektive për liri, për shtet të pavarur e për sistem demokratik brenda tij. Shënon rreshtimin veprues, të drejtpërdrejtë, të aleancës më të fuqishme ushtarake të kohës, të NATO-s, me përpjekjet mbijetuese, të rezistencës e të luftës të popullit të Kosovës në orën tonë më të vështirë”.
“Prandaj kjo datë për ne është festë. Dhe gjeneratat e tashme, e të tjerat që do të vijnë pas, duhet ta kujtojnë këtë datë si festë. Që lajmërimin e Sekretarit Gjeneral të NATO-s, Havier Solana, në Konferencën e jashtëzakonshme për shtyp të mbrëmjes së 23 marsit, të orës 22:17, të nisur me fjalët: “Sapo kam urdhëruar Komandantin Suprem të Aleatëve në Evropë, Gjeneralin Ëesley Clark, të nisë sulmet ajrore mbi Jugosllavinë”, këto fjalë pra, përbënin momentin më çlirues, më shpresdhënës dhe më triumfalist për ne”.
“Intervenimi i NATO-s në Kosovë, ishte përgjigje e domosdoshme ndaj agresionit gjenocidial të regjimit të Millosheviqit dhe forcave militare e paramilitare serbe në Kosovë. Spastrimi etnik i Kosovës, vrasjet e fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve pa dallim, dhunimet sistematike gjithandej nëpër Kosovë, përndjekjet, djegiet e largimet me dhunë e forcë – s’mund të merrnin përgjigje tjetër përveç se intervenim të tillë. Prandaj 24 marsi, është rreshtim jo vetëm me popullin e shtypur të Kosovës, është rreshtim dhe me anën e duhur në historinë e njerëzimit”.
Kreu i LDK-së, ka thënë se pas 10 qershorit, deri më sot, Kosova nga NATO dhe misioni i saj në Kosovë, kishte marrë dhe merr në vazhdimësi, mbështetje për rindërtim, paqe dhe për siguri.
“Prandaj, përtej intervenimit ushtarak kundër regjimit gjenocidial të Serbisë, 24 marsi është datë e lindjes së një aleance të re, e një lidhje të natyrshme bindjesh dhe jo interesash – aspiratat ndaj të cilës, populli i Kosovë i kishte shprehur, i shprehë dhe do t’i shprehë në vazhdimësi. Në fjalë të Presidentit Rugova, “Kosova shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me SHBA” ishte më shumë se qëllim; ishte udhërrëfim. Këtë udhërrëfim e ndjekim sot dhe ne. Prandaj sot anëtarësimi ynë në aleancën veriatlantike përveç se qëllim madhor nacional i Kosovës dhe popullit tonë, përveç se aspiratë politike e gravuar në Kushtetutën tonë, përveç se ndjenjë qytetare e padiskutueshme dhe e patjetërsueshme – është dhe përmbajtje thelbësore e kalimit nga një popull i ndihmuar në një popull që barabartë me të tjerët ndihmon popujt tjerë në nevojë”, ka thënë ai.