Abdixhiku: Kosova ka rënë në kurthin e Serbisë me veprime të veta

Prishtinë | 10 Nën 2022 | 21:26 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur në lidhje me gjendjen e re të krijuar në veri të vendit.

Abdixhiku tha se tashmë janë bërë afër një javë që Kosova është futur në një gjendje të ere të ushtrimit të sovranitetit të vetë në të gjithë territorin, teksa shtoi se në 17 për qind të territorit, ky sovranitet ka filluar të marrë goditje.

Në Klan Kosova tha se burimi i problemeve në veri është Beogradi dhe se tendencat e Serbisë për destablizimin e Kosovës s’janë të reja, teksa shtoi se vendi ka rënë në kurthin e Serbisë.

“Ka një masë të organizuar të autoriteteve serbe në veri të koordinuara në Beograd për të sabotuar Kosovën. Por, kjo tendencë e Serbisë s’është e re për Kosovën. Në 23 vitet e fundit Serbia ka provuar të sabotojë Kosovën edhe në pjesën jugore e sidomos në veri e jo rrallë ka arritur të krijojë tensione, si ai me tren, barrikadat”.

“Tendencat e Serbisë për destabilizim të Kosovë s’janë të reja dhe s’janë zbuluar as me 14 shkurt e as sot në nëntor të 2022-ës. Është vazhdimësi e një angazhimi serioz të Serbisë, edhe financiar edhe kriminal në veri”.

“Por, ajo çka ka qenë e rëndësishme për Kosovën është mënyra se si vendi ynë dhe aleatët tonë i janë përgjigjur një provokimi të tillë”, është shprehur Abdixhiku, njofton Klankosova.tv .

Më tej, ai tha se arsyeja e një burimi të tillë nga Beogradi është intensiteti i madh i faktorit ndërkombëtar rreth çështjes së Kosovës dhe Serbisë po bëhet për dy mundësi.”E para që të rritë kërkesën për një marrëveshje finale dhe e dyta që ta kurthojë Kosovën në veprimet e veta që ajo mund t’i ketë”.

Të ngjashme