Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Grupi Parlamentar që ai udhëheq e mbështet Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, raporton Ekonomia Online.
Madje, Abdixhiku u shpreh se janë vullnetarë që ky Projektligj të nisë nga deputetë.
“Këtë fjalë po e nisu duke i dhënë mbështetje konceptit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ky koncept ka qenë pjesë e programit të LDK-së. Ne shprehim vullnet që ky Projektligj të nisë së pari te deputetët. Krimi ka qenë i lirë e tash duhet të jetë i kushtueshëm “, ka thënë i pari i LDK-së në Kuvend.
Por Abdixhiku ka pasur kritika për siç po mendohet krijimi i strukturës organizative të Byrosë Shtetërore, megjithatë thotë se do të japin vërejtjet e tyre me shpresë se do të merren parasysh.
“Byroja sipas Projektligjit udhëhiqet nga një drejtor, e ky drejtor ka kompetenca më shumë sesa i gjithë sistemi i drejtësisë. Kjo Byro si është paraqitur në projektligj nuk është e pavarur. Askush nuk duhet ta gëzojë një fuqi të tillë. Ne do t’i japim vërejtjet tona, por do ta mbështesim. Ejani ta bëjmë një ligj të vërtetë, por në fillim kërkoni opinionin e Komisionit të Venecias”, u shpreh Abdixhiku.