Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas caktimit të Glauk Konjufcës si mandatar nga Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se LDK ka pasur plane për një Qeveri të Unitetit që do të trajtonte çështjet bazike dhe institucionale të vendit, por këto plane janë hudhur poshtë.
“Ne kemi pasur plane shumë më herët për një Qeveri të Unitetit, të përkohshme, që do të kalonte çështjet bazike, institucionale të Republikës së Kosovës. Edhe çështjen e buxhetit, edhe çështjen e planit të rritjes, edhe çështjet e krizave të vazhdueshme institucionale. Ky plan është hudhur poshtë. Prandaj kundërshtimi ynë nuk është për emër, është përmbajtësor. Pra, duhet marrëveshje politike, sepse populli i Kosovës meriton shumicën. Shumica shqiptare në Kosovë, 52 deputetë të Kosovës, e kanë bërë të qartë se nuk ka mundësi matematikore për ndonjë shumicë. Prandaj janë të parëndësishme takimet partiake. Pra, pse është mbledhur Vetëvendosja, nuk ndryshon asgjë. Është vetëm veprim politik, propagandues dhe blerje kohe pa asnjë efekt politik në Republikën e Kosovës. Po, mos dyshoni në disa gjëra që janë të thëna e stërthëna tash e sa kohë. Le të ndryshojë çka të duash, përmbajtja është e njëjtë. Por kjo s’është LDK-ja që është sot”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku nënvizoi se kundërshtimi i LDK-së nuk është për emër, por përmbajtësor, duke theksuar se pa shumicë politike nuk mund të formohet qeveri.
“Kjo LDK është e qëndrimeve e parimeve, e vërtetësisë me votuesit e vet, me qytetarët e vet. Por kjo nuk është LDK-ja që ndryshon qëndrime sipas vendimeve të një partie politike tjetër atje. Nuk ka fare rëndësi çka është mbledhur, ku është mbledhur e çka ka vendosur Këshilli i Përgjithshëm i një partie tjetër për LDK-në. Mësohuni një herë e mirë. Pse duhet bërë një shfaqje teatrale me një mandatar pa shumicë? Është shumica politike që e përcakton kryeministrin. Shumicë politike nuk ka pasur. Sa ka shpenzuar kohë një parti që ka dalë e para në këto zgjedhje të fundit, por që s’ka shumicë, me manovrime të tilla politike, më mirë kishte qenë të kishte takuar parti për të bërë shumicën. Po e shpenzojnë kohën në Këshillat e vet. Le të kënaqen, por mos…Natyrisht që s’pranojmë me njerëz që kanë vlera, dhe parti që kanë vlera ideologjikisht të kundërta me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ne e duam Republikën e Kosovës. E duam shtetin e Kosovës. I duam qytetarët tanë. Duam të ndërtojmë të ardhmen për këtë vend. Dhe është akt patriotik kombëtar që kjo e ardhme të ndërtohet me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, shtoi ai.