Abdixhiku: Masakra e Reçakut, një ndër aktet më të rënda, më të dhimbshme dhe më tronditëse ndaj popullit të Kosovës

Prishtinë | 15 Jan 2023 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Kyetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, i shoqëruar me bashkëpunëtorë bënë homazhe dhe nderuan jetën dhe veprën e të rënëve te Kompleksi Memorial në Reçak në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

Kryetari Abdixhiku me këtë rast tha:

“24 vjet nga Masakra e Reçakut, ditës kur 45 civil shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e të moshuar, u vranë e u masakruan nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë.

Mëngjesi i hershëm i 15 janarit të vitit 1999, mban një ndër aktet më të rënda, më të dhimbshme dhe më tronditëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Aq tronditës ishte ky akt – krim kundër njerëzimit do ta quante ambasadori Walker atëherë – sa që i njëjti u bë pikë kthese e vëmendjes së botës demokratike ndaj Kosovës dhe angazhimit tonë për jetë të lirë.

Sot, teksa po largohemi pothuajse një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri.”

Të ngjashme