Abdixhiku në Obiliq: Shteti nuk drejtohet me teke, drejtohet me ligj, me institucione dhe me përgjegjësi

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim në Obiliq. Në fjalë e tij, ai kritikoi qeverinë derisa theksoi se vendi po përballet me konflikt me aleatët, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku theksoi se bllokada e vendit për 10 muaj erdhi si pasojë e LVV-së që sipas tij ishte e qëllimshme.

“Sonte nuk jemi mbledhur këtu vetëm për një tubim zgjedhor. Jemi mbledhur për të folur seriozisht për një marrëdhënie të prishur mes shtetit dhe qytetarit. Për të folur për atë se si vendi që ka dhënë kaq shumë, ka marrë kaq pak. Dhe për të thënë se kjo nuk është e drejtë. Dhe se kjo duhet të ndryshojë.
Kosova sot ndodhet në një moment të rëndë institucional dhe moral. Dhe këtë nuk e them si figurë letrare, por si fakt politik. Për herë të parë pas luftës, institucionet nuk funksionojnë normalisht. Për herë të parë, Kushtetuta është shkelur hapur. Për herë të parë, shteti është futur në konflikt me ligjin e vet dhe me aleatët e vet. Dhe për herë të parë, qytetari ndien se shteti nuk po e mbron, por po e anashkalon. Kjo krizë nuk ka ardhur rastësisht. Ajo është pasojë e një mendësie qeverisëse që nuk i ka bashkuar qytetarët e vet, por i ka ndarë ata. I ka ndarë në tradhtarë dhe patriotë. Në të mirë dhe të ligë. Në “tanët” dhe “të tjerët”. Kjo gjuhë ka ndarë familjen, ka ndarë shoqërinë, ka ndarë mërgatën dhe ka lënduar gjithë Kosovën. Dhe një shtet që ndërtohet mbi ndarje, nuk mund të ecë përpara. Sepse ajo që i ndodhi Kosovës nuk ishte aksident. Nuk ishte keqkuptim. Nuk ishte as fat i keq. Ishte zgjedhje politike. Zgjedhje e qëllimshme e populistëve për ta mbajtur shtetin peng. Për dymbëdhjetë muaj me radhë, Kosova u mbajt në bllokadë institucionale jo sepse nuk kishte zgjidhje, por sepse pushteti zgjodhi konfliktin mbi kompromisin, inatin mbi shtetin dhe propagandën mbi përgjegjësinë“, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së thotë se derisa vendi ishte në bllokadë, propaganda vazhdonte dhe se qytetarët e Obiliqit e dinë çfarë do të thotë të “paguash çmim për vendime të gabuara: për dymbëdhjetë muaj, Kosova humbi kohë, humbi besim, humbi kredibilitet ndërkombëtar dhe humbi shpresë”.

“Për dymbëdhjetë muaj, Kuvendi u përdor si skenë për përplasje, jo si institucion për zgjidhje. Ligji u trajtua si pengesë, jo si detyrim. Kushtetuta u pa si opsion, jo si bazë. Dhe qytetari u la në pritje, ndërsa pushteti luante lojëra politike me fatin e vendit. Kjo nuk ishte qëndresë. Ishte papërgjegjësi. 
Kjo nuk ishte parim. Ishte kokëfortësi politike. 
Kjo nuk ishte mbrojtje e interesit publik. Ishte mbajtje peng e shtetit për interesa të ngushta pushteti. Dhe le ta themi qartë, sepse qytetarët e Obiliqit e dinë çfarë do të thotë të paguash çmim për vendime të gabuara: për dymbëdhjetë muaj, Kosova humbi kohë, humbi besim, humbi kredibilitet ndërkombëtar dhe humbi shpresë. Ndërsa vendi ishte në bllokadë, propaganda vazhdonte. Ndërsa institucionet nuk funksiononin, fjalimet vazhdonin. Ndërsa shteti ndalej, pushteti bënte sikur po qeveriste. Ky është dallimi thelbësor mes populizmit dhe shtetit. Populizmi jeton nga kriza. Shteti jeton nga zgjidhja. Populizmi ushqehet me konflikt. Shteti ndërtohet me përgjegjësi. Dhe një vend që mbahet peng për një vit të tërë, nuk po udhëhiqet – po shfrytëzohet.
Në katër vite qeverisjeje, me mbi 12 miliardë euro buxhet shteti, nuk kemi parë zhvillim proporcional me sakrificën e qytetarëve. Nuk kemi parë reforma që ndryshojnë jetën reale të njerëzve. Nuk kemi parë kujdes serioz për shëndetin publik. Nuk kemi parë plan afatgjatë për mjedisin. Nuk kemi parë strategji për vendet që kanë paguar çmimin më të lartë të industrializimit“, tha ai.

Ai ka shpalosur zotimet programore të LDK-së, përfshirë investime në energji të pastër, ndërtimin e centralit me gaz, mbrojtjen e mjedisit në Obiliq, mbështetjen financiare për familjet e reja, investime në arsim, shëndetësi, digjitalizim dhe punësim të të rinjve, si dhe rritje pagash në sektorin publik.

“Por unë besoj se ky besim mund të rikthehet. Dhe besoj se rikthehet vetëm me një ndryshim të thellë të qasjes. Me një politikë që e sheh qytetarin jo si numër, por si njeri. Me një shtet që nuk e shfrytëzon një trevë, por e mbron atë. Me një qeveri që nuk e shtyn problemin, por e zgjidh.
Kjo është arsyeja pse Lidhja Demokratike e Kosovës nuk vjen sot këtu me retorikë boshe. Vjen me përgjegjësi. Vjen me përvojë. Vjen me vizion shtetëror. Vjen me një program që nuk është listë premtimesh, por kontratë morale me qytetarin.
Ne besojmë se zhvillimi ekonomik nuk mund të vijë duke sakrifikuar shëndetin e njerëzve. Se energjia nuk mund të prodhohet pa standarde mjedisore. Se industria nuk mund të ekzistojë pa përgjegjësi sociale. Dhe se Obiliqi nuk mund të mbetet zonë flijimi për rehati politike.
Prandaj programi ynë parasheh investime serioze në energji të pastër, në modernizim të kapaciteteve ekzistuese dhe në mbrojtje reale të mjedisit. Parasheh ndërtimin e centralit me gaz dhe investime për pastërinë e Obiliqit.
Ne po ashtu, qeverisjen e nisim nga familja. Çdo fëmijë i porsalindur do të mbështetet me 200 euro në muaj për një vit të plotë. Jo si lëmoshë, por si investim publik. Çiftet e reja do të kenë mbulim të interesit për banesën e parë, sepse jeta nuk duhet të nisë me ankth dhe borxh.
Në arsim, kemi paraparë 1 miliard euro investim për çerdhe dhe mësim tërëditor. Që asnjë nënë të mos detyrohet të zgjedhë mes punës dhe fëmijës. Që asnjë fëmijë të mos mbetet pas. Mësimi tërëditor që e kemi nisur dhe dëshmuar në Prishtinë do të bëhet standard kombëtar.
Në shëndetësi, do të ndërtojmë Qendrën e Re Klinike të Kosovës, investimin më të madh shëndetësor në historinë e vendit. Do t’i rrisim pagat e mjekëve dhe infermierëve dhe do ta kthejmë shërimin në të drejtë, jo në luks.
Në ekonomi dhe punësim, do të krijojmë Ministrinë e Digjitalizimit. Do të aftësojmë 40 mijë të rinj për punë reale, me paga evropiane, duke jetuar në Kosovë. Për çdo të posadiplomuar do të ketë punësim të garantuar me 500 euro pagë për 6–12 muaj, të mbështetur nga shteti.
Në administratë dhe siguri, kemi zotim të qartë: mësuesi 1000 euro pagë, infermierja 975 euro, polici dhe ushtari 900 euro. Sepse shteti mbahet me njerëz të respektuar, jo me fjalë.
Në zhvillim kapital, programi ynë parasheh 5 miliardë euro investime në energji, infrastrukturë, ujë, hekurudha, shkolla, spitale, sport dhe kulturë. Do të ndërtojmë kapacitete të reja energjetike që Kosova të mos djegë më qindra miliona euro çdo vit për import të rrymës. Dhe këto investime do të bëhen me standarde mjedisore, sepse shëndeti i njerëzve nuk është çmim për energjinë.
Dhe mbi të gjitha, ne do ta kthejmë rendin kushtetues. Shteti nuk drejtohet me teke. Drejtohet me ligj. Me institucione. Me përgjegjësi.
Sonte kërkohet zgjedhje. Mes përçarjes dhe bashkimit. Mes populizmit dhe shtetit. Mes krizës së përhershme dhe normalitetit“, premtoi Abdixhiku.

Të ngjashme