Abdixhiku në Prishtinë: Kryeqyteti tregoi se normaliteti dhe qetësia politike fitojnë

Prishtinë | 17 Dhj 2025 | 21:14 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur fjalim në tubimin elektoral të LDK-së në Prishtinë, me të cilin është shënuar edhe dita e parë e fushatës zgjedhore, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku tha se është kënaqësi që fushata po nis nga kryeqyteti, duke theksuar rolin e Prishtinës si qendër politike dhe administrative e vendit, si dhe si bazë e fuqishme e LDK-së.

“Sonte jam i lumtur që po flasim nga kryeqyteti dhe ditën e parë të fushatës po e nisim në Prishtinë, natyrisht me fshatrat dhe me zemrën e qytetit. Është kënaqësi e madhe të nisim ditën e parë të fushatës, e cila tashmë ka folur qartë, pastër dhe i ka dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës vendin e parë pas 12 vitesh dhe e ka bërë Përparim Ramën për mandat kryetar të kryeqytetit. Ky është rezultat i besimit, i punës dhe i vizionit të jashtëzakonshëm për kryeqytetin dhe sot Prishtina nuk është vetëm një kryeqytet i zakonshëm, është një qendër administrative e Kosovës, është bazë e fortë politike e Lidhjes Demokratike, është qyteti që tregoi se normaliteti politik fiton, qetësia politike fiton, programi fiton, se propaganda, bllokada dhe ndalimi i punëve të mëdha nuk kanë shanca të fitojnë politikisht në Prishtinë. Fitoi LDK, fitoi përparimi, fitoi para së gjithash vetë Prishtina. LDK nuk është parti e rastit apo e çastit, LDK është vetë themel i botës moderne, është fryma që e mbajti këtë qytet gjallë edhe kur nuk kishte shtet, këtu është ndërtuar filozofia e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Abdixhiku.

Në vazhdim të fjalimit, kreu i LDK-së foli edhe për situatën politike në vend, duke theksuar se Kosova po përballet me krizë të thellë drejtimi dhe funksionimi institucional.

“Sot në një moment shumë të rëndësishëm të Kosovës, Prishtina duhet të flasë edhe një herë me plot domosdoshmëri, sepse të dashur qytetarë, sot nuk kemi vetëm krizë politike, sot kemi krizë drejtimi në Republikën tonë. Sot kemi krizë institucionale, të bashkëpunimit, të punës së domosdoshme që duhet t’i prijë shtetit dhe qyteteve tona. Kosova ka hyrë në izolim të thellë politik, në masa që nuk po largohen, në institucione të bllokuara, por mbi të gjitha me një frymë të ndarjes e përçarjes si mentalitet politik”, shtoi ai.

Abdixhiku theksoi se LDK synon t’i japë vendit stabilitet, drejtim të qartë dhe rikthim të normalitetit politik, duke e cilësuar Prishtinën si shembull të kësaj qasjeje.

Të ngjashme