Abdixhiku nga Fushë Kosova: Infrastruktura është cilësi jete, jo vetëm asfalt

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 20:43 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar takimet me qytetarë, duke u ndalur sonte në Fushë Kosovë, ku ka folur për zhvillimin e qëndrueshëm, ambientin e pastër dhe projektet infrastrukturore me rëndësi kombëtare.

“Sonte ishim edhe në Fushë Kosovë, në një qytet që rritet çdo ditë me njerëz punëtorë, familje të reja dhe të rinj plot energji e ambicie,” ka shkruar Abdixhiku, duke theksuar se fokusi i LDK-së mbetet përmirësimi i cilësisë së jetës për qytetarët.

Ai ka theksuar se infrastruktura nuk duhet parë vetëm si ndërtim rrugësh, por si një faktor kyç për shëndetin dhe perspektivën e familjeve dhe të rinjve.

“Në Fushë Kosovë folëm për ambient të pastër, për rend dhe për zhvillim të qëndrueshëm. Sepse infrastruktura nuk është vetëm asfalt, por cilësi jete, shëndet dhe perspektivë për familjet dhe të rinjtë,” ka deklaruar Abdixhiku.

Në këtë takim është diskutuar edhe për projektet e mëdha infrastrukturore, përfshirë Unazën e Kryeqytetit. Sipas Abdixhikut, ky projekt është jetik për lehtësimin e qarkullimit edhe në Fushë Kosovë.

“Folëm për Unazën e Kryeqytetit si një projekt jetik që lehtëson qarkullimin, edhe në këtë komunë, si dhe për magjistralet dhe autostradat që duhet ta lidhin Kosovën më shpejt, më sigurt dhe më drejtë, me një plan kombëtar infrastrukture që u shërben qytetarëve dhe bizneseve,” ka theksuar ai.

Abdixhiku ka bërë të ditur se me qytetarët janë ndarë zotime konkrete dhe një vizion i qartë për katër vitet e ardhshme.

“Me qytetarët e Fushë Kosovës ndamë zotime konkrete dhe vizion të qartë për katër vitet e ardhshme, një vizion që e kthen planifikimin në vepra dhe premtimet në projekte reale,” ka shtuar kreu i LDK-së.

Ai ka folur edhe për përfaqësimin e Fushë Kosovës në listën zgjedhore të LDK-së, duke prezantuar dy kandidatë.

“Fushë Kosova përfaqësohet në listën e LDK-së nga dy kandidatë të shkëlqyer, me përvojë të dëshmuar institucionale,” ka shkruar Abdixhiku.

Sipas tij, me numër 38 në listë është Besnik Osmani, “njohës i thellë i qeverisjes lokale dhe administratës publike, i cili ka shërbyer për dekada në institucione kyçe të shtetit si Sekretar i Përgjithshëm, Auditor i Përgjithshëm dhe nënkryetar komune, gjithmonë pranë qytetarëve dhe interesit publik”.

Ndërkaq, me numër 78 është Majlinda Shaqiri, e cila sipas Abdixhikut është “magjistre e shkencave filologjike nga Universiteti i Prishtinës, shkrimtare, gazetare dhe aktiviste e përkushtuar”.

Të ngjashme