Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova po braktiset nga njerëzit, derisa vendi mbetet peng i qeverisjes populiste të Albin Kurtit.
“Teksa po futemi në vitin e katërt të pushtetit populist, me plot 12 miliardë euro të menaxhuara në vetëm katër vjet; për qytetarët në çdo anë po bëhet gjithnjë më e qartë se shenjat e mëdha, ndryshimet thelbësore, projektet zhvillimore, nuk kanë për të ardhur asnjëherë”, ka thënë kreu i LDK-së, gjatë një takimi që ka zhvilluar me strukturat dhe përkrahës të LDK-së në Viti.
“Koha po na ikën, njerëzit po na largohen, gjersa vendi mbetet peng kolektiv i popullizmit simbolik”, ka shkruar kreu i LDK-së.
POSTIMI I PLOTË:
Javë e re, takime mobiliziuese të tjera!
Sonte qëndrova në Viti.
Aty takova strukturat udhëheqëse të degës sonë; kryesinë e degës, kryetarët e nëndegëve, forumet e këshilltarët lokal. Një strukturë sa vitale aq dhe me plot vullnet! Mes bashkëpartiakëve të Lidhjes, shtrova kërkesën për mobilizim partiak gjithënacional; siç dhe parashtrova planet tona për këtë vit zgjedhor.
Teksa po futemi në vitin e katërt të pushtetit populist, me plot 12 miliardë euro të menaxhuara në vetëm katër vjet; për qytetarët në çdo anë po bëhet gjithnjë më e qartë se shenjat e mëdha, ndryshimet thelbësore, projektet zhvillimore, nuk kanë për të ardhur asnjëherë.
Sepse zhvillimi nuk është synim. Për popullistët, zhvillimi vërtetë është i vështirë!
Në vend të kësaj, ne po udhëhiqemi nga politika të vazhdueshme përplot simbolikë. Aso të zhurmshme që marrin vëmendje dy-tre muajshe, por s’japin një ndryshim të vetëm për t’u mbajtur në mend; as në ekonomi, as në infrastrukturë, energjetikë, arsim, shëndetësi, sport apo kulturë. Zero ndryshim!
Koha po na ikën, njerëzit po na largohen, gjersa vendi mbetet peng kolektiv i popullizmit simbolik.
Rruga e Re është zgjidhja! Le të flasim për zhvillim!
LDK do të qëndroj në çdo qytet e fshat, për të shpërndarë mesazhin tonë të qartë. Strukturat tona janë gati! Lidhja është gati!