Abdixhiku për rritjet e pagave në Qeveri: Janë të pangopur

Prishtinë | 22 Dhj 2017 | 14:56 | Nga

Një vendim i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, për rritje të pagës së vet 100 për qind dhe kabinetit të tij, ka ngjallur reagime të shumta. LDK thotë se do të shoh rrugët ligjore për këtë vendim që deri më tani po cilësohet skandaloz.

Lumir Abdixhiku tha për Express se ky vendim nuk është e paraparë në buxhetin e vitit 2018 i cili do të dalë sot për shqyrtim të dytë para deputetëve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me një vendim të marrë dje, ia ka dyfishuar vetes pagën dhe pesë zëvendëskryeministrave të vet, duke ia kaluar me pagë bruto edhe presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Deri më tash paga e kryeministrit ka qenë rreth 1500 euro, deri sa tash e tutje ajo do të jetë 2950 euro. Po ashtu, me vendim të tij, paga e zëvendëskryeministrit tash e tutje do të jetë 2500 euro, deri sa e ministrave nga 2000 euro.

Por, deputeti i LDK’së Lumir Abdixhiku, duke e komentuar vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave, tha se një vendim si ky është pjesë e një politike që e sheh paranë publike si plaçkë dhe që nuk ka asnjë konsideratë ndaj nevojave qytetare e mundësive buxhetore të Kosovës.

“Rritja e Qeverise, numri enorm i zëvendësministrave, rritja e numrit të këshilltarëve – e se fundmi edhe rritja e pagave për te gjithë këta – është dëshmi se kjo Qeveri brengen kryesore e ka akomodimin e individëve, pra shfrytëzimin e pushtetit për luks vetanak”, është shprehur Abdixhiku.

Ai tha se Kosovës i duhet një program kursimi si dhe i duhet shkurtimi i shpejte i madhësisë dhe kostos së Qeverisë.

“Me këtë qeveri, me këtë mendësi, një gjë e është e pamundur. Janë të pangopur!

Do të shohim rrugët ligjore fillimisht, sepse konsiderojmë që rritja e pagave nuk është e paraparë në Buxhetin e vitit 2018 – që do të votohet në Parlament. Gjithashtu do ta kundërshtojmë vendimin brenda Parlamentit dhe mekanizmave qe Parlamenti i ka”, ka shtuar ai.

Ky zyrtar i LDK’së thotë se përveç kësaj një vendim i tillë ka implikime në institucionet tjera, të cilat me automatizëm i rrisin të ardhurat e veta.

“Është ofendim për shume institucione që një shofer e truproje Kryeministri të kenë pagë më të lartë së mjekët, profesorët e pozitat e veçanta e të dalluara në vend”, ka përfunduar ai.

Ky vendim i Ramush Haradinajt për rritjen e pagës ka hyrë në fuqi që nga data 01 e këtij muaji.

 

 

Të ngjashme