Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar figurën e Agim Ramadani, duke e cilësuar atë si një personalitet unik që bashkoi në vete shpirtin artistik dhe vendosmërinë e luftëtarit.
Në një postim reflektues, Abdixhiku thekson se Ramadani ishte një figurë që nuk mund të kufizohet në një përkufizim të vetëm.
“Ka figura që nuk mund t’i vendosësh në një përkufizim të vetëm. Agim Ramadani ishte një prej tyre,” shkruan ai.
Sipas tij, në personalitetin e Ramadanit “bashkëjetonin dy botë që rrallë takohen: ndjeshmëria e artistit dhe vendosmëria e luftëtarit”, duke shtuar se ai e përfytyronte lirinë si një krijim që duhet të marrë formë. “Ai e ndiente jetën thellë… dhe kur kjo formë iu mohua, ai nuk u tërhoq. U ngrit,” thotë Abdixhiku.
Duke përshkruar rrugëtimin e tij, Abdixhiku vëren se arma për Ramadanin nuk ishte zgjedhje e parë, por një domosdoshmëri.
“Në të njëjtën dorë që dikur vizatonte dhe shkruante, erdhi një ditë edhe arma. Jo si zgjedhje e parë, por si domosdoshmëri,” thekson ai.
Ai ndalet edhe te nofka “Katanë”, duke e lidhur atë me karakterin e tij të vendosur.
“Ishte reflektim i një natyre të qartë, të prerë, të menduar… që nuk godiste nga zemërimi, por nga qartësia.”
Në përmbyllje, Abdixhiku thekson se figura e Ramadanit mbetet e pandashme dhe e plotë në kujtesën kolektive.
“Nuk është vetëm luftëtar, as vetëm artist. Është një i tërë… që dëshmon se liria fillon si ide… dhe kur vjen koha, mbrohet me gjithçka,” shkruan ai.