Spitalin e Qytetit, Ngrohtorën dhe përfundim të rrugës Podujevë-Prishtinë brenda pak muajsh, ishin disa nga zotimet e kandidatit për kryeministër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi elektoral në Batllavë, raporton Ekonomia Online.
Në tubimin elektoral në Batllavë, kreu i LDK-së ka thënë se në çdo tubim ka parë që “rugovistët janë ngritur në këmbë”.
“Pardje mbushëm sallën në Vushtrri, dje e mbushëm sallën në Gjakovë, ndërsa më 7 shkurt do ta mbushim sheshin në Podujevë”, tha Abdixhiku, teksa elektrizoi sallën e mbushur me simpatizantë.
“Nuk kam kohë e vullnet për të sharë e ofenduar por kam kohë e vullnet për ta bërë këtë shtet. Sepse shëndetësia është keq, pensionistët janë keq, prandaj në programin tonë kemi 5 miliardë euro investime, 5 miliardë euro buxhet dhe 5 për qind rritje ekonomike, dhe shumica e buxhetit do të shkojë në Llap, pasi e meritoni dhe jeni lënë anash. Edhe kjo rrugë që ka mbetur pa asnjë urë do ta përfundojë dhe vetë do të dalë në terren çdo ditë në mënyrë që të përfundojë sa më shpejtë”, u shpreh Abdixhiku.
Kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka premtuar më shumë punë nëse arrijnë ta marrin besimin e qytetarëve.